Lladrovci i kundërpërgjigjet Lushtakut: Në komunën e Drenasit, sa jam unë kryetar sundon ligji, s’ka i vogël e i madh

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar pas deklaratës së ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku ku ky i fundit tha se Lladrovci është “i vogël me u marrë me të”.

Përmes një postimi në Facebook, Lladrovci tha se në komunën e Drenasit, sa është ai kryetar sundon ligji dhe se “nuk ka i vogël i madh, krejt janë të barabartë para ligjit”.

“Me qetësi e dashuri…në komunën e Drenasit, sa jam unë kryetar sundon ligji. S’ka i vogël i madh, krejt janë të barabartë para ligjit!P.S. Struci ishte dedikim për ata që mbajnë kryet në zall”, ka shkruar Lladrovci.

Reagimi i Lushtakut erdhi pas deklaratës së Lladrovcit në Pressing ku tha se “i jep 100 Samia për Bekim Jasharin”.

“Shkruj thuj po thotë Samia 200 jepi se 100 pak. Boll dal unë veç një. Qesharak është ai nuk e kam mendjen me u marr me të i vogël është ai”, ka deklaruar ai për Gazetën Infokus.

I pari i Drenasit, në Pressing në T7 ka deklaruar se me Lushtakun nuk ka armiqësi por që nuk kanë raporte miqësore.

“Sot për sot nuk i kam raportet e mira. I kam pasë të mira, i kam prish, i kam ndreq, i kam prish, i kam ndreq. S’kam armiqësi me Sami Lushtakun. Nëse nuk e kam lënë me investu në Drenas pa i ndjek procedurat, nuk do të thotë që kemi armiqësi. 100 Sami Lushtaka i jepi për Bekim Jasharin. Por nuk përzihem në problemet mes tyre, se ata nesër bëhen mirë mes vete, një herë e kam hangër në jetën time, nuk e ha më”, ka thënë Lladrovci.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë