Labinot Halilaj: Dega mund të propozoi, por vendimin e merr Kryesia e PDK-së

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Drenas, Labinot Halilaj i cili është edhe anëtar i Kryesisë së Degës së PDK-së në Drenas ka kërkuar unitet rreth kandidaturës së Ramiz Lladrovcit për kryetar të Drenasit edhe për një mandat.

Ai ka thënë se sipas rregullit, dega nuk merr vendim për kandidatin që do t’i prij zgjedhjeve lokale për kryetar.

“Dega mund të jap propozime. Pa diskutuar legjitimitetin e mbledhjes apo pjesëmarrësve të përfolur, vendimi përfundimtar për kandidatin nuk vendoset në degë, këtë duhet ta kenë parasysh të gjithë ata që pretendojnë karrierë legale politike”, ka thënë Halilaj.

Postimi i plotë i tij:

Të nderuar qytetarë, anëtarë të PDK-së, anëtarë të Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të Degës së PDK-së në Drenas,

Si anëtar i Kryesisë së Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit lidhur me përcaktimin e kandidaturës për kreun e komunës, për zgjedhjet e ardhme lokale, në veçanti për mua si kryetar i Asamblesë së komunës së Drenasit.

Shqetësimi ka të bëj me tendencat e përçarjes, pa unitetin themelor për përcaktimin e kandidatit, duke marrë parasysh ecurinë e deritashme të zhvillimeve nga zgjedhjet lokale të vitit 2016, 2017 dhe të zgjedhjeve nacionale më 2019 dhe 2021.

Ne kryesia e Degës së Partisë Demokratike në Drenas, kemi marrë përkrahje të fuqishme qytetare për vendimet tona, gjatë këtyre viteve, jo vetëm për kandidatin për kryetar dege, por edhe për Kryesinë, Këshillin e Përgjithshëm të degës dhe aktivitetin tonë politik në terren. Kjo u pa në të gjitha zgjedhjet e deritashme, duke u rikonfirmuar fitorja e thellë e PDK-së.

Gjithë kjo përkrahje ka rezultuar se Drenasi si në dy dekadat e kaluara, mbetet bastion i pathyeshëm i PDK-së. I gjithë ky sukses, i atribuohet jo vetëm Degës dhe anëtarësisë së gjerë, por edhe qytetarëve dhe punës së palodhshme të kryetarit të komunës, Ramiz Lladrovci dhe pararendësve të tij.

Këtë unitet qytetar, nuk do të duhej askush ta vinte as në dilemë e as në provë, sepse, Drenasi ka qenë, është dhe mbetet bastion i PDK-së, duke qenë komuna më e vlerësuar në nivel vendi me performancën më të mirë, dhe komuna e vetme me fitore pa balotazh. Kështu, do të vazhdojë.

Jam shumë krenar që jam kryesues i Asamblesë komunale dhe i takoj komunës së Drenasit, pas gjithë sukseseve të qeverisjes lokale, duke dhënë edhe ne si Asamble kontributin tonë, pozitë e opozitë.

Këtë vazhdimësi të qeverisjes së mirë e ka pasur në konsideratë edhe lideri ynë Kadri Veseli i cili padrejtësisht nuk gjendet fizikisht mes nesh, këtë e kishte dhe ka në konsideratë edhe kryetari në detyrë z. Enver Hoxhaj, me deklarime publike rreth kandidaturës në Drenas si çështje të mbyllur edhe me vendim të Kryesisë së PDK-së.

Sipas rregullit, dega nuk merr vendim për kandidatin që do t’i prij zgjedhjeve lokale për kryetar. Dega mund të jap propozime. Pa diskutuar legjitimitetin e mbledhjes apo pjesëmarrësve të përfolur, vendimi përfundimtar për kandidatin nuk vendoset në degë, këtë duhet ta kenë parasysh të gjithë ata që pretendojnë karrierë legale politike.

Deri sot, dy herë kishte deklarime zyrtare dhe të drejta rreth kandidaturës së z. Lladrovci nga Selia Qendrore dhe z. Enver Hoxhaj. Këto deklarime i miratoj plotësisht në emër timin dhe të anëtarëve të Kryesisë që nuk morëm pjesë në mbledhje ku u diskutuan kandidaturat dhe në emër të Asamblistëve të PDK-së në komunë.

Ne e kemi miratuar punën e shkëlqyer të z. Ramiz Lladrovci gjatë këtij mandati dhe me vendosmëri konsiderojmë se duhet të vazhdoj këtë punë në dobi të qytetarëve dhe ngritjen dhe fuqizimin e bastionit të PDK-së në Drenas.

Uniteti qytetar merr domethënie të veçantë në situatën që gjendemi kur liderët tanë gjenden padrejtësisht larg familjeve të veta dhe shtetit për të cilin punuan shumë dhe larg organizimit partiak që ata e krijuan dhe ne vazhdojmë me krenari këtë rrugë. Ne me shembullin tonë, me urtinë dhe disiplinën partiake e politike, e kemi detyrim ta fuqizojmë këtë unitet, jo vetëm në Drenas por edhe në Drenicë dhe në tërë Kosovën.

Ftoj të gjithë anëtarët, kryesitë e nëndegëve, Kryesinë e degës dhe Këshillin drejtues të Degës në PDK-së në Drenas, të shfaqin unitet të plotë dhe përkushtim për ditët e muajt që na presin. Vendimet nga Kryesia e PDK-së dhe kryetarit në detyrë, z. Enver Hoxhaj i konsideroj edhe të drejta edhe të dobishme në rrugën tonë politike drejt fuqizimit të mëtejmë të bastionit të PDK-së, Drenasit dhe Drenicës, si asnjë herë më parë!

Me nderime,
Labinot Halilaj
Kryetar i Asamblesë komunale në Drenas dhe anëtar i Kryesisë së Degës së PDK-së në Drenas

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë