Legalizimi i ndërtimeve pa leje në Drenas vlerësohet i suksesshëm nga USAID

Drejtoresha për Planifikim Urban dhe Mbrojtje te Mjedisit Flutura Avdiu, së bashku më zyrtarë të drejtorisë, kanë pritur në takim përfaqësuesit e USAID, të programit për qeverisje ekonomike, Vigan Perani dhe Arbër Kadriu, me të cilët kanë diskutuar për procesin e legalizimit dhe për gjendjen aktuale në Drenas.

Drejtoresha Avdiu, ka informuar të pranishmit lidhur me procesin e legalizimit që është duke u bërë në Komunën e Drenasit, numrin e aplikuesve, numrin e legalizimeve, numrin e listës së pritjes si dhe përdorimin e aplikacionit nga Komuna. Drejtoresha Avdiu, ka shtuar se procesi i legalizimit në Drenas është duke vazhduar në mënyrë shumë të suksesshme dhe se interesimi nga ana e qytetarëve është i madh.

Ndërsa përfaqësuesit e USAID, kanë përgëzuar Drenasin për menaxhimin e procesit të legalizimit deri më tani dhe kanë inkurajuar që të vazhdohet me këtë intensitet edhe gjatë muajve të ardhshëm që të ju ndihmojnë qytetarëve lidhur me procedurat e legalizimit të ndërtimeve të tyre. Ata kanë shtuar se USAID me programin për qeverisje ekonomike do të vazhdojë në përkrahjen e implementimit të këtij projekti shumë të rëndësishëm për qytetarët.

Paraprakisht, lidhur me procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje, që nga fillimi i procesit, kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, ka formuar grupin punues për legalizim të ndërtimeve pa leje në përbërje të anëtarëve nga të gjitha sektorët e drejtorive komunale, në mënyrë që ky proces të realizohet në mënyrë të suksesshme dhe qytetarët të legalizojnë ndërtimet e tyre brenda afatit kohor.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë