Lazio e gëzon Kosovën, lajm i madh për Muriqin

Lajme të mira për Përfaqësuesen e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Lazio ka njoftuar se Vedat Muriqi do t’i bashkohet ekipit Verdhekaltër për ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Dje ishte vënë në dyshim prezenca e sulmuesit shtatlartë për ndeshjet e tetorit pasi trajneri Bernard Challandes u shpreh pesimist shkaku i gjendjes fizike të futbollistit.

Por, sot klubi italian përmes uebfaqes së vetë zyrtare ka njoftuar se 10 futbollistë të saj do të jenë të angazhuar në ditët në vijim me Kombëtaret përkatëse, e në këtë listë është përfshirë edhe emri i futbollistit prizrenas.

Kështu, transferimi i ri i Lazios do të jetë në dispozicion të Kosovës për ndeshjen e 8 tetorit ndaj Maqedonisë së Veriut në Shkup, një ndeshje jetike kjo, por edhe për duelin e 11 tetorit ndaj Sllovenisë në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe më 14 të këtij muaji ndaj Greqisë në Athinë.

Muriqi mungoi në ndeshjet e shtatorit dhe mungesa e tij u ndie dukshëm pasi Kosova barazoi me Moldavinë 1:1 dhe humbi nga Greqia, 1:2. 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë