Juventus: Pas Ruganit, edhe Matuidi infektohet me koronavirus

Mesfushori i Juventusit, Blaise Matuidi, është infektuar me koronavirus, duke u bërë futbollisti i dytë që preket nga Covid-19 në skuadrën e kampionit italian. Ai është vetëizoluar në shtëpi dhe është mirë.

Juventusi ka njoftuar të martën në mbrëmje se mesfushori francez Matuidi ka dalë pozitiv në testin e tij për koronavirus, raporton Gazeta Express.

Klubi nga Torino ka thënë se 32-vjeçari ndodhet në vetëizolim në shtëpinë e vet dhe se ai nuk ka simptoma dhe është mirë.

Javën e kaluar mbrojtësi Daniele Rugani njoftoi se ishte infektuar me koronavirus dhe tani Mautidi bëhet lojtari i dytë i Juves me Covid-19.

“Nga e mërkura, 11 mars, lojtari është në vetëizolim vullnetar në shtëpi. Ai do të vazhdojë të vëzhgohet dhe do ta ndjekë të njëjtin regjim. Ai është mirë dhe nuk ka simptoma”, thuhet në njoftimin e Juventusit.

Italia është vendi më i goditur jashtë Kinës nga kjo sëmundje ngjitëse.

Deri më tani 26.062 persona janë prekur nga koronavirusi në Itali, 2.503 kanë vdekur, ndërsa 2.060 janë nën përkujdesje intensive.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë