Tovërlani s’shqetësohet për koronavirusin: Më duket një lloj biznesi

Trajneri i ri i Feronikelit, Afrim Tovërlani, nuk është i shqetësuar nga rreziku që përbën koronavirusi, pasi që ai e konsideron këtë pandemi si një lloj biznesi.

Mbi 150 mijë njerëz në botë janë infektuar me koronavirus, ndërsa mbi 5600 të tjerë kanë vdekur shkaku i këtij virusi, që gjatë javës u shpall pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, transmeton Gazeta Express.

Të infektuarit e parë me këtë virus në Kosovë u identifikuan të premten, kur qeveria i ndërmori disa masa për ta ndaluar përhapjen e virusit. Njëra ndër vendimet ishte edhe ndalja e aktiviteteve sportive, si ndeshjet e Ipko Superligës së Kosovës.

Para se të ndërpriteshin ndeshjet e Superligës kosovare, vendim të ngjashëm morën edhe La Liga, Serie A, Premierliga, Bundesliga, Ligue 1 e shumë liga të tjerë nëpër botë. Megjithatë, Tovërlani beson se s’ka nevojë për panik lidhur me këtë virus.

“7 miliard njerez ne botë. Qe dy muaj e gjysme 150.000 mij te infektum prej se eshte paraqitur virusi. Ma pak se 5000 mij te vdekur,shumica nga semundje tjera dhe nga mosha e shtyer. Qetsonu e pa panik se krejt po me duket ni lloj biznesi testim i njerzimit!!!”, shkroi Tovërlani në llogarinë e tij në Facebook.

53-vjeçari ishte përgatitur për ta zhvilluar ndeshjen e kësaj fundjave të Feronikelit fillimisht pa tifozë, por të premten në mbrëmje Federata e Futbollit e Kosovës e konfirmoi vendimin për pezullimin e ndeshjeve.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë