Kosova e kryen stërvitjen e parë në Katar

Kombëtarja e Kosovës në futboll është kompletuar dhe është grumbulluar në Katar, ku të dielën do ta zhvillojë ndeshjen miqësore kundër Suedisë.

Për këtë miqësore përzgjedhësi Bernard Challandes ka ftuar kryesisht futbollistë nga Superliga e Kosovës dhe nga ekipi përfaqësues U-21 me qëllim që t’u jap mundësi për t’i treguar kualitetet e tyre, raporton Gazeta Express.

Vet Challandes kishte shkuar i pari në Doha me disa futbollistë tjerë që luajnë në klube evropiane.

Kurse, të mërkurën nga Kosova në Katar kanë shkuar 16 futbollistët tjerë duke e kompletuar kështu skuadrën.

Fillimisht trajneri Challandes e ka mbajtur një takim me gjithë futbollistët e ftuar për këtë miqësore. Me qenë se shumica nga ta janë ftuar për herë të parë në Kombëtare, trajneri ua ka shpjeguar rëndësinë e të qenit përfaqësues të një shteti dhe një populli.

Ndërsa, sot Challandes e ka zhvilluar seancën e parë stërvitore me futbollistët e ftuar. Ekipi do të ushtrojë sërish sonte pasdite dhe të premten e të shtunën për miqësoren e së dielës ndaj suedezëve.

Në Katar Kosova planifikonte ta zhvillonte një miqësore edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, amerikanët e kanë anuluar turneun në Katar shkaku i tensioneve që janë ngritur së fundmi në Lindjen e Mesme. 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë