Zeneli kujton het-trikun e tij historik për Kosovën

Arbër Zeneli e ka festuar përvjetorin e parë të het-trikut të tij të shënuar për Kombëtaren e Kosovës në ndeshjen historire kundër Azerbajxhani, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Sot është bërë një vit nga fitorja historike e Kosovës me rezultat 4:0 në “Fadil Vokrri” kundër Azerbajxhanit, kur “Dardanët” e siguruan promovimin në Ligën C të Ligës së Kombeve dhe një play-offs kualifikues për EURO 2020 përmes fitores që ia siguroi vendin e parë në Grupin D3 të Ligës së Kombeve, raporton Gazeta Express.

Ylli i Kosovës në atë natë historike kishte qenë Arbër Zeneli, i cili kishte kontribuar me het-trik (2’, 50’ dhe 76’), ndërsa golin e vetëm tjetër në këtë ndeshje e kishte shënuar qendërmbrojtësi Amir Rrahmani.

Goli i parë i Zenelit erdhi në minutën e dytë të ndeshjes, kur kosovari gjuajti me këmbën e tij të gjashtë nga jashtë zona e portierit dhe arriti ta fusë topin në qoshen e poshtme të djathtë të portës për ta shënuar golin e parë, të asistuar nga Benjamin Kololli.

Pesë minuta pasi filloi pjesa e dytë e ndeshjes, Zeneli e gjeti golin sërish, edhe këtë herë duke gjuajtur me këmbën e tij të djathtë në qoshen e poshtme të djathtë të portës, por këtë herë asistin e bëri Vedat Muriqit.

Pasi Rrahmani e kishte shënuar golin e tretë për Dardanët, Zeneli e thelloi edhe më shumë fitoren e Kosovës, duke e goditur topin në të njëjtën mënyrë, këtë herë nga ana e majtë e zonës së portierit. Këtë gol e asistoi Hekuran Kryeziu.

Këto tri gola ishin shumë të rëndësishme për fatin e Kosovës, që tani e ka edhe një mundësi të kualifikohet në Kampionatin Evropian 2020, përkundër që e humbi shansin e parë përmes Grupit A.

Shkaku i fitores së Kosovës në atë përballje me Azerbajxhanin, skuadra e Bernard Challandes u kualifikua në play-offs të EURO 2020 si njëra ndër katër fitueset e grupeve të Ligës D, si dhe e fitoi promovimin në Ligën C për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.

Zeneli – që ka munguar në katër nga gjashtë ndeshjet e Kosovës në kualifikimet për EURO, për shkak të një lëndimi serioz që e pësoi në përballjen me Malin e Zi – e kujtoi këtë moment historik përmes një fotografie të publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram.

Sulmuesi anësor kosovar, i cili është në proces rikuperimi nga lëndimi i tij që nga qershori, pritet të jetë plotësisht gati për ndeshjet vendimtare të Kosovës në mars, kur do të zhvillohet faza play-offs. Kosova do të takohet me Maqedoninë në gjysmëfinale, ndërsa në finale e pret ose Gjeorgjia, ose Bjellorusia.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë