“Vokrri ka punuar shumë për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, besoj që do të kualifikohemi në Euro 2020”

Drejtuesi i parë i FFK-së, Agim Bytyqi, beson që Kosova do të kualifikohet në Kampionatin Evropian 2020.

Sipas tij, Kosova mund ta mposhtë Çekinë dhe të sigurojë kualifikimin.

“Kombëtarja e Kosovës ka arritur suksese të mëdha deri më tani. Unë besoj që do të kualifikohet në Kampionatin Evropian. Pa kompleks arriti t’i shënojë 3 gola kundër Anglisë si mysafir. Ne jemi fillestar për Anglinë dhe kemi arritur të shënojmë 3 gola. Çekinë duhet ta mposhtim. Nuk kishte ndonjë kualitet të madh Çekia dhe besoj që mund ta mposhtim dhe të shkojmë në Evropian. Për çdo ndeshje më dërgon Federata biletë për ta parë ndeshjen në stadium. Me Anglinë do të jem në stadium. Mua dhe Sabri Hashanin nuk na harrojnë dhe çdoherë kemi qenë prezent”, ka thënë ai për Sportin Total në KTV.

Bytyqi ka kujtuar në këtë intervistë edhe bashkëpunimin me Fadil Vokrrin, ish-kryetarin e FFK-së, që vdiq vitin e shkuar.

“Fadili ka punuar shumë për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Unë pata fat që të jem me delegacionin e Kosovës në Budapest kur u pranua në UEFA. Edhe pse ka pasur përpjekje që unë edhe Sabri Hashani të jemi brenda në Kongres bashkë me Fadilin dhe Erollin, një gjë e tillë nuk u lejua. Ne e shikuam nga televizori në hotel. Kemi qenë një autobus njerëz dhe kanë qenë momente që nuk përshkruhen. Për mua ka qenë moment historik dhe një përmbyllje e gjithë historisë së futbollit. Merita të mëdha ka Fadili dhe Bordi i FFK-së, të cilët e çuan deri në fund atë që e nisën shumë gjenerata. Me Fadil Vokrrin kam pasur raporte shumë të mira. Ai ka qenë më i ri se unë dhe më ka respektuar shumë e po ashtu edhe unë e kam respektuar. I ndjeri shkoi herët dhe nuk mundi shumë ta shijojë atë pas së cilës ka vrapuar shumë, por e la një kujtim si sportist. Ai ka qenë një legjendë si lojtar, kurse si kryetar ka punuar dhe ka pasur sukses”, ka thënë Bytyqi për Vokrrin.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë