Southamptoni dhuron pagat për bamirësi pas humbjes 0:9

Futbollistët e Southamptonit dhe stafi i trajnerëve kanë premtuar të japin donacion pagat javore të tyre pas humbjes turpëruese 9:0, që skuadra pësoi në shtëpi ndaj Leicester Cityt në Premier League, të premten mbrëma. Paratë do të dedikohen te fondacioni bamirës i klubit në tentim për të rregulluar gjërat me tifozët.

Leicesteri ka regjistruar fitoren më të thellë si mysafir në histori të elitës angleze duke mposhtur Southamptonin, që mbeti me dhjetë lojtarë, me rezultat të thellë. Në këtë ndeshje shënuan nga tre gola Ayoze Perez dhe Jamie Vardy. Ishte humbja më e thellë e pësuar nga Southamptoni në shtëpi në historinë e vet 133-vjeçare.

Loading...
Loading...

“Skuadra ka punuar për të rregulluar gjërat me tifozët e klubit”, është thënë në një komunikatë në faqen zyrtare të klubit. “Si hap i parë në këtë drejtim, grupi ka vendosur të dhurojë pagat javore nga dita e ndeshjes me Leicesterin te Fondacioni Saints”.

Lojtarët po ashtu do të shikojnë të përmirësojnë gjërat në dy ndeshjet e radhës me Manchester Cityn, me të cilën skuadër së pari do të përballen në League Cup të martën, e më pas në Premier League të shtunën.

Kryetrajneri austriak i Southamptonit, Ralph Hasenhuettl, ka thënë se skuadra nuk do të mbijetojë në elitë këtë stinor në rast se nuk gjen një mënyrë për t’u përmirësuar.

“Ne duhet ta kuptojmë se nëse luajmë në atë mënyrë, atëherë nuk kemi gjasa të mbesim në ligë, kjo është e sigurt. Të gjithë e dinë këtë. Ka të bëjë me ne tash, të mundohemi të gjejmë një mënyrë për të bërë gjërat më të mira”, ka thënë Hasenhuettl.

Humbja e Southamptonit, që mbeti pa Ryan Bertrandin herët në ndeshje për shkak të kartonit të kuq, ka futur skuadrën në zonën që e largon nga elita. Southamptoni zë vendin e 18-të me tetë pikë nga dhjetë ndeshje. Leicester City ndërkohë me fitoren e shënuar është ngritur në pozitën e tretë në renditje me 20 pikë, tetë më pak se Liverpooli që kryeson e dy më pak se Manchester City që zë vendin e dytë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë