Në betejën mes Kosovës dhe Serbisë, UEFA zgjedh heshtjen

Më 3 maj të vitit 2016, Kosova u bë anëtarja e 55-të e UEFA-s, duke i fituar të drejtat e plota e një Federate të Futbollit në Evropë. Tani, tre vjet më vonë, këto të drejta FFK-së po i shkelen nga Federata Serbe e Futbollit e UEFA ka vendosur të qëndrojë e heshtur.

Doruntina Baftiu

Më 1 gusht të këtij viti, Federata e Futbollit e Kosovës bëri të ditur se, përmes një letre, u ka kërkuar UEFA-s dhe FIFA-s të marrin masa ndaj Serbisë – Federata e Futbollit e së cilës po organizon gara të futbollit në territorin e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Kjo kërkesë e FFK-së erdhi pasi “Trepça” u bë pjesë e ligës së nivelit të tretë të futbollit në Serbi. Me këtë pjesëmarrje në ligën serbe, “Trepça” do të priste klube serbe brenda territorit të Kosovës për ndeshje të vlefshme për ligat serbe dhe të organizuara nga Federata serbe.

E megjithatë, ngjashëm me ankesën e bërë në UEFA më 3 mars, edhe këtë herë FFK-ja hasi në vesh të shurdhër. Por, sekretari i përgjithshëm i Federatës, Eroll Salihu, s’e ka humbur durimin dhe shpresën për një reagim nga UEFA.

“Jo, nuk kemi marrë përgjigje ende. Ne nuk mund t’ua caktojmë atyre një afat kohor për këtë gjë sepse nuk kemi kompetenca të tilla. Siç e dimë ne, ata janë duke e shqyrtuar”, tha Salihu për Gazetën Express.

Në letrën e dërguar para 27 ditësh, FFK-ja e paralajmëroi UEFA-n se situata do të eskalojë nëse shtëpia e futbollit evropian nuk ndërmerr ndonjë veprim, pasi që organizimi i këtyre ndeshjeve nuk do të lejohej nga autoritetet kosovare.

Dënimet e mundshme për Serbisë: Përjashtimi nga UEFA

Në statutin e UEFA-s, që është përditësuar për herë të fundit në shkurt të vitit 2018, thuhet: “Anëtarësimi në UEFA i mundësohet Federatave të futbollit të pozicionuara në kontinentin e Evropës, në një vend që njihet si shtet i pavarur nga shumica e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, dhe që janë përgjegjëse për organizimin dhe implementimin e çështjeve të lidhura me futbollin në territorin e vendit të tyre”.

Pasi që Serbia po organizon gara jashtë territorit të vet, përkatësisht në veri të Kosovës, UEFA mund edhe ta përjashtojë apo ta pezullojë Federatën Serbe të Futbollit. Në pikën e tretë të artikullit të tetë të Statutit të UEFA-s thuhet se një Federatë mund të përjashtohet nëse i shkel statutet apo rregullat e këtij organi qeverisës të futbollit.

Vendimi për përjashtimin e një Federata të Futbollit nga UEFA duhet të vendoset në Kongresin e këtij organi. Përjashtimi duhet të mbështetet nga ¾ ose më shumë anëtarë të Kongresit dhe të pranishëm duhet të jenë të paktën gjysma e anëtareve të UEFA-s.

Përveç përjashtimit nga UEFA, Serbia mund të marrë paralajmërim, vërejtje, gjobë, t’i ndalen fondet nga UEFA, të përjashtohet nga garat e organizuara nga UEFA ose t’i merret licenca.

Çka nëse UEFA vendos të mos reagojë fare?

Më 3 mars të këtij viti, FFK-ja u ankua pas lajmit që e ashtuquajtura Federatë Serbe e Futbollit në Kosovë (FSFK) e kishte emëruar president Milan Radoiçiqin, i cili është i kërkuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviqit.

FSFK-ja po tentonte që ta merrte kontrollin për zhvillimin e garave të futbollit në veri të Kosovës. Për shkak të këtij tentimi, FFK-ja e publikoi një reagim ku theksonte se vetëm ajo ka të drejtë të organizojë gara në Kosovë.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, kishte bërë të ditur për Gazetën Express se UEFA do të merrte vendim për këtë problem gjatë takimit të ardhshëm të Komitetit Ekzekutiv. Megjithatë, një vendim i tillë nuk erdhi kurrë.

Federata rrezikon të mbetet pa përgjigje sërish nga UEFA. Kur u pyet për këtë mundësi, sekretari i përgjithshëm, Salihu, tha se në atë rast do të kërkohet përkrahja nga ana e qeverisë kosovare.

“Ne e kemi lajmëruar edhe policinë për këtë gjë. Nëse nuk përgjigjen, atëherë ne besojmë se qeveria nuk do ta lejojë ardhjen e klubeve nga Serbia, pasi që kjo është kundër Kushtetutës së vendit”, shtoi Salihu.

Gazeta Express ka tentuar të marrë përgjigje nga UEFA që prej 11 marsit për këtë konflikt mes Federatave të të dy vendeve, mirëpo UEFA nuk ka ofruar asnjë lloj përgjigjeje.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë