Jasharët nderohen për festat e Nëntorit (Foto)

sot-dit-euml-lindja-e-komandantit-adem-jashari_hd-780x439Vendlindja e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari sot ishte bërë vend i vizitorëve të shumtë nga të katër anët e vendit.

Prekazi legjendar vizitohet edhe ditëve tjera por sot ishte një arsyeje më e madhe për të shkuar në vendin më të vizituar në Kosovë.Sot është dita e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari dhe 19 vjetori i daljes për herë në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këto tri data të rëndësishme kanë bërë që në Prekazin heroik të zbarkojnë edhe përfaqësues të lartë të shtetit, liderë të partive opozitare dhe qytetarë të shumtë.Ata janë përulur para varrit të komandantit Adem Jashari dhe 50 anëtarëve të kësaj familje.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi,  tha se  ndihet krenar që festat e nëntorit i festojnë gjithë shqiptarët kudo që janë.  Ndërsa tha se 28 Nëntori, është festë e bashkimit dhe sakrificës. “Është kjo festë e bashkimit, festë e sakrificës, festë e kujtimit por dhe përgjegjësive për të ardhmen.Andaj dëshiroj t’i uroj të gjithë ,me mesazhin e bashkimit, me mesazhin e punës së përbashkët për një të ardhme edhe më të mirë për Kosovën, për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, në çdo hapësirë në rajon dhe në diasporë.

Dëshiroj të shpreh vlerësimin dhe respektin më të lartë, për të gjithë ata njerëz,  që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, për bërjen e Shqipërisë së pavarur, për këtë progres të madh. Ndërsa sot ndihemi shumë mirë që sot Kosova është vend i lirë, i pavarur, sovran në rrugë të sigurte për integrime  euroatlantike.. Sot kujtojmë sakrificën e të gjithë komandantëve të UÇK-së. Sakrificën e Jasharajve, sakrificën e të gjithë invalidëve të luftës. Gjithë atyre veteranëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, që dhanë gjithçka për këtë ditë, që e gëzojmë sot”, tha ai.

E lideri i Vetëvendosjes Visar Ymeri  tha se Kosova e sotme është një shpërputhje flagrante me Kosovën, për të cilën dhanë jetën Adem Jashari dhe gjithë dëshmorët e luftës.  Ndërsa theksoi se me 28 Nëntor, kujtojnë se sa rrugë kanë përpara, duke kujtuar se sa kanë  sakrifikuar në të kaluarën.   “Sakrifica e familjes Jashari, në krye me Adem Jasharin është dëshmi që 28 nëntori, nuk është vetëm datë e së kaluarës, por është dhe projekt i së ardhmes. Gjithë këta dëshmorë që e kanë dhënë jetën dhe kanë sakrifikuar gjithçka që kanë pasur për lirinë e Kosovës, na mësojnë edhe si jetohet dhe si dashurohet. Këta janë udhërrëfyesi jonë për të ardhmen. Është e qartë që kjo Kosovë që po e shohim sot është në shpërputhje flagrante me Kosovën për të cilën kishin rënë familja Jashari dhe të gjithë dëshmorët e luftës së fundit”, tha Ymeri.

Nderim të rënëve në Prekaz ka bërë edhe një delegacion i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ministri Haki Demolli tha se falë sakrificës së familjes Jashari, qytetarët sot mund të festojnë të lirë. “Vendosëm të dalim të vizitojmë Prekazin,  me qëllim të përkujtimit të veprës legjendare të komandantit legjendar Adem Jasharit si dhe bashkëluftëtarëve të tij, me rastin e sakrificës jashtëzakonisht të madhe të familjes Jasharaj,  fal së cilës vepër dhe sakrificë, ne sot mund të festojmë në liri, festat tona familjare, festat tona kombëtare dhe festat tona shtetërore”, tha Demolli.

Një qytetar i quajtur Isa Mehmeti, i cili në këtë ditë të ftohtë kishte vendosur ta vizitojë Prekazin dhe të bëjë homazhe tek kompleksi memorial  “Adem Jashari”,   u shpreh skeptik me punën që po bëjnë të zgjedhurit e popullit.  “Mirë u ba. Na ndihmoi zoti. Por po më duket s’di a po dimë me mbajt. Duhet me kanë shumë i përpiktë për me mbajt shtëpinë e vatanin. Mua po më duket që ligsht, nuk po i japin zor fort. Se këtu e paskan knaq kështu duhet, këtu është mirë. Por po flas në përgjithësi, n’ tana anët”, tha Mehmeti.

Vizita në varrezat e Jasharajve do të bëhen edhe gjatë tërë ditës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë