Pas ratifikimit të demarkacionit, nisin vizitat e zyrtarëve të lartë të BE-së

Kuvendi i Kosovës të mërkurën pas një seance maratonike me fjalime e gaz lotsjellës, miratoi marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Miratimi i kësaj marrëveshjeje ishte edhe kriteri i 95-të i vënë nga Bashkimi Evropian, para heqjes së regjimit për viza ndaj qytetarëve të Kosovës.

Pas plotësimit të këtij kriteri të fundit, në Kosovë do të vijë për vizitë Komisionari për Punë të Brendshme i BE-së, Dimitris Avramopoulos.

Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, vetë ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, sipas së cilës, ky zyrtar i lartë së shpejti do të vizitojë Kosovën.

“Në telefonatën që kam zhvilluar me Komisionarin Avramopoulos më ka konfirmuar se shumë shpejt planifikon të vizitojë Kosovën”, ka thënë Hoxha.

Sipas saj, me këtë vizitë, Avramopoulos do të rikonfirmojë miqësinë që ka me Kosovën.

“Ai do të vijë për të rikonfirmuar përkrahjen që ai si mik i Kosovës i ka dhënë dhe do t’i japë qytetarëve të Kosovës dhe Republikës së Kosovës, sa i përket procesit të liberalizimit të vizave”, ka thënë tutje Hoxha.

Ndërkaq, vetë Avramopoulos pas kalimit të demarkacionit në Kuvend të Kosovës, ka thënë se do të ishte njeriu më i lumtur nëse do të vendoste nënshkrimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë