Petrit Hajdari zyrtarizon kandidaturën për kryetar të Komunës së Drenasit

Ish-kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Petrit Hajdari, ka njoftuar zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Drenasit. Përmes një deklarate publike, ai tha se vendimin e ka marrë pas kërkesave të shumta qytetare dhe mbështetjes së fuqishme që kishte marrë më 9 shkurt, transmeton portali DrenicaOnline.

“Ju keni folur, unë ju kam dëgjuar: PO, DO TË KANDIDOJ PËR KRYETAR KOMUNE”, shkroi Hajdari, duke theksuar se ky hap është një kapitull i ri në rrugëtimin e tij politik brenda Partisë Demokratike të Kosovës – një rrugëtim që e nisi nga strukturat rinore me vizionin e Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Ai bëri të ditur se kandidatura e tij është deponuar në përputhje me rregulloren e miratuar nga Këshilli Drejtues i PDK-së dhe i bëri thirrje kryesisë dhe kryetarit të partisë, Memli Krasniqi, që të konfirmojnë kandidimin e tij.

“Drenasi ka nevojë për unitet, përbashkim dhe një lidership që i bashkon të gjitha energjitë e elektoratit tonë për një të ardhme më të mirë”, theksoi Hajdari, duke shtuar se për të, qytetari i Drenasit ka qenë gjithmonë prioriteti kryesor, pavarësisht pozitës apo zgjedhjeve ku ka garuar.

Në fund të fjalës së tij, ai u shpreh mirënjohës për besimin e qytetarëve dhe premtoi një angazhim të plotë për ta kthyer Drenasin në një komunë ku jetohet me dinjitet.

“Bashkë, do t’ia dalim. Bashkë, ka kuptim”, përfundoi ai./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë