Ilaz Kodra, përherë në kujtesë – përfundohet asfaltimi i rrugës që çon te lapidari

Në prag të 26-vjetorit të rënies së Heroit të Kombit, Ilaz Kodra, dhe në kujtim të 42 dëshmorëve e mbi 280 martirëve të fshatrave Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks, Gllobar e fshatrave përreth, është asfaltuar rruga që çon te lapidari i heronjve të Kombit, transneton portali DrenicaOnline.
Ky investim i rëndësishëm, i cili përmirëson qasjen për qytetarët dhe vizitorët që vijnë për homazhe, u realizua nga Komuna e Drenasit në bashkëfinancim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Përveç aspektit infrastrukturor, kjo rrugë është simbol i mirënjohjes për sakrificën dhe qëndresën e brezit që dha gjithçka për liri.
Kontribut i veçantë në realizimin e këtij projekti ka qenë ai i inxhinierit Arben Dobra nga Vërboci, i cili projektoi punimet pa asnjë pagesë, në shenjë përkushtimi për komunitetin dhe kujtimin e heronjve.
Nga ky investim përfitojnë edhe dy familje Gashi nga Vërboci, të njohura për ndihmën dhe mikpritjen e ofruar gjatë luftës për shumë familje drenicase.
“Asfaltimi i kësaj rruge nuk është thjesht një projekt infrastrukturor, por një akt nderimi dhe kujtese për ata që sakrifikuan jetën për lirinë tonë,” theksohet nga Komuna e Drenasit.
Ky veprim i qëndrueshëm është dëshmi e kujdesit institucional për trashëgiminë tonë historike dhe përkushtimin për ta ruajtur atë brez pas brezi./DrenicaOnline/