Familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi me letër publike: Presim përgjegjësi shtetërore, takimi me Haxhiun pas vendimit të Kuvendit
Familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit kanë dalë me një letër të përbashkët, përmes së cilës kanë bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar.
Në letër, familjet kanë shprehur mirënjohje për qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar në raport me procesin gjyqësor në Hagë.
“Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për popullin e Kosovës për mbështetjen, solidaritetin dhe qëndrimin e tij të vazhdueshëm ndaj procesit gjyqësor në Hagë”, thuhet në letër.
Familjet kanë kërkuar gjithashtu veprim të përgjegjshëm nga institucionet dhe të zgjedhurit e popullit.
“Presim sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara”, kanë deklaruar ato.
Në letër është përmendur edhe ftesa e Albulena Haxhiut për takim. Familjet e kanë vlerësuar ftesën, por kanë bërë të ditur se takimi pritet të zhvillohet vetëm pas vendimit të Kuvendit.
Sipas tyre, kjo bëhet për të shmangur çdo keqkuptim të mundshëm lidhur me ndikimin apo ndërhyrjen e familjeve në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës.
“E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, përfundon letra e familjeve Thaçi, Veseli dhe Krasniqi.


