Nxënësit e Drenasit përfshihen në një aktivitet humanitar për vaksinimin e fëmijëve në Fushë Kosovë

Në kuadër të projektit “Promovimi i Vlerave Humane” të Kryqit të Kuq të Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Drenas, është realizuar me sukses aktiviteti humanitar “Vaksinimi” në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë.

Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen aktive të nxënësve të gjimnazit “Gj.K. Skënderbeu” nga Drenasi, të shoqëruar nga psikologia e shkollës, znj. Ganimete Shala Gjokaj, dhe me mbështetjen e zyrtarit të Kryqit të Kuq – dega në Drenas, z. Egzon Morina. Ky është vetëm hapi i parë nga katër projektet e përzgjedhura që synojnë forcimin e ndjeshmërisë dhe përgjegjësisë sociale tek të rinjtë.

Përmes bashkëbisedimeve dhe këshillimeve me prindër nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, u arrit të sigurohej vaksinimi i fëmijëve të moshës 0–5 vjeç që kishin mbetur të pavaksinuar për shkak të sfidave të ndryshme sociale dhe ekonomike.

Organizatorët shprehën mirënjohje të veçantë për përfaqësuesin e komunitetit, z. Suad Ademi, për ndihmën e tij në terren, si dhe për ekipin mjekësor të përkushtuar:
– Dr. Rukije Kuqi
– Luljeta Nura, infermiere
– Ekrem Breznica, infermier

Nxënësit pjesëmarrës u shprehën të motivuar dhe të vlerësuar për kontributin e tyre në këtë mision fisnik, duke e cilësuar këtë përvojë si një nxitje për të qenë qytetarë më aktivë dhe humanë në shoqëri.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë