Rezultati i zgjedhjeve në Drenas, shembull për reflektim për degët tjera dhe nivelin qendror të PDK-së

Shkruan: Arben SHALA

Rezultatet e zgjedhjeve në Drenas dëshmuan edhe një herë rëndësinë e organizimit të mirëfilltë të fushatës zgjedhore. Ato treguan se me angazhim dhe përkushtim të Shefit të shtabit dhe ekipit zgjedhor gjithëpërfshirës mund të arrihen rezultate që tejkalojnë edhe pritshmërinë e më optimistëve. Ky sukses konfirmoi se plani i qartë, puna ekipore dhe vizioni i përbashkët janë elemente thelbësore për fitore bindëse.

Sigurisht, dikush nga pesimistët do të mund të thirrej në faktin se Drenasi është bastion i PDK-së dhe se një rezultat i tillë ishte i pritshëm. Nuk mund të mohohet se për qytetarët e Drenasit, dhe jo vetëm, PDK-ja përfaqëson një vlerë identitare të rrënjosur thellë në histori, një trashëgimi të përpjekjeve shekullore për liri e pavarësi.

Megjithatë, fakti që Dega e PDK-së në Drenas ka qenë bastion edhe me 15,000 vota e herë pas here edhe më pak, ndërsa tani ka një rritje prej 5,000 votash, tregon se rezultati me mbi 19,500 vota nuk erdhi rastësisht. Krahas angazhimit të kandidatëve, kjo rritje është rezultat i drejtpërdrejtë i punës së palodhshme të Shtabit zgjedhor të Degës dhe nëndegëve të saj si dhe reflektim i kredencialeve të kryetarit të Komunës nga PDK, Ramiz Lladrovci. Nën drejtimin e tij, qeverisja lokale në Drenas ka vendosur standarde të reja për qeverisje të mirë në nivel vendi, me interesin e qytetarit në qendër.

Aspekt shumë i rëndësishëm i kësaj fushate ishte fryma unitare e treguar brenda degës së PDK-së dhe mesazhi i qartë i Degës së PDK-së për qytetarët. Emrat e heronjve të luftës e paqes, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ishin emrat përbashkues e identifikues të pjesëmarrësve në fushatë. Në Drenas, PDK-ja nuk u promovua vetëm si parti e cila duhet të votohet blanko për hir të së kaluarës shtetkrijuese e shtetndërtuese, por si forcë politike e cila sjell stabilitet, zhvillim ekonomik, qeverisje të përgjegjshme dhe vizion të qartë e gjithëpërfshirës për të ardhmen e Kosovës.

Shtabi zgjedhor i Degës punoi me përkushtim për të mbështetur të gjithë kandidatët në mënyrë sa më të barabartë, duke lënë anash çdo pakënaqësi eventuale apo fërkime të vogla për hir të interesit të përbashkët. Kjo qasje pozitive solli një energji të re brenda Degës dhe u reflektua drejtpërdrejt në nëndegët e saj dhe rrjedhimisht në rezultatet përfundimtare. Kjo është dëshmi e qartë se kur një subjekt politik funksionon me unitet dhe përkushtim, rezultatet nuk mungojnë. Qytetarët e kuptuan dhe vlerësuan tërë këtë angazhim, duke dhënë mbështetjen e tyre të fuqishme në kutitë e votimit.

Fitorja e PDK-së në Drenas dërgon mesazh të rëndësishëm edhe në nivel qendror. Qytetarët kërkojnë qeverisje që nuk bazohet në interesa të ngushta grupore politike, ideologji të importuara, por një qasje pragmatike që kërkon angazhim e punë për të mirën e përgjithshme. Nga kandidatët e PDK-së, votuesit e tyre presin përfaqësim dinjitoz, përkushtim dhe angazhim të njëjtë, siç u dha në këto zgjedhje për ta. Ky tanimë është një standard që duhet të shërbejë si shembull që duhet të ndiqet edhe gjatë zgjedhjeve të ardhshme qoftë për nivelin lokal, po ashtu edhe për atë qendror.

Zgjedhjet në Drenas dëshmuan se suksesi nuk është i garantuar vetëm nga e kaluara, por kërkon punë të vazhdueshme, strategji e planifikim të qartë dhe një qasje gjithëpërfshirëse, përafruese e përfaqësuese të qytetarëve. Rezultatet e zgjedhjeve në Drenas qofshin reflektim edhe për degët tjera të PDK-së! Rezultati i këtyre zgjedhjeve në Komunën e Drenasit nuk ishte vetëm fitore për PDK-në, por edhe dëshmi e fuqisë së organizimit dhe e besimit që qytetarët kanë ndaj një qeverisjeje të përgjegjshme dhe llogaridhënëse.

(Autori është nënkryetar i Komunës së Drenasit)

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë