“Afati deri mas Bajrami, s’lahesh me kurrgjë veç me dhe”, pejani terrorizon ish gruan, i kërkon 36 mijë euro

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës që përjetojnë kryesisht nga partnerët e tyre. Kjo dukuri shqetësuese ka marrë përmasa të mëdha kohëve të fundit dhe kjo dëshmohet çdo ditë me numrin e rasteve të tilla që denoncohen në Polici.

Një rast i dhunës në familje është raportuar sot në Pejë, ku një grua ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj për kërcënime serioze lidhur me një shumë prej mijëra eurosh.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima është paraqitur në stacionin policor dhe ka deklaruar se ish-burri i saj, me të cilin është në proces divorci dhe kanë tre fëmijë, ka vazhduar ta kërcënojë përmes mesazheve.

Sipas viktimës, i dyshuari i ka kërkuar t’ia kthejë 36 mijë euro, të cilat pretendon se ajo ia ka marrë, duke i vënë një afat deri pas festës së Bajramit.

Ai madje ka përdorur një gjuhë kërcënuese duke i thënë se në të kundërtën, “nuk lahesh me kurrgjë veç me dhe”.

Policia është aktivizuar për ta arrestuar të dyshuarin, por i njëjti ende nuk është kapur.

Viktima nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe as strehim, por ka bërë kërkesë për urdhër mbrojtës nga gjykata.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e hetimit për veprën “Dhuna në Familje”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë