E siguroi mandatin e deputetes/ Sala Jashari takohet me Memli Krasniqin- ja për çfarë biseduan

Pas një fushate intensive dhe angazhimi të vazhdueshëm, Sala Jashari është radhitur ndër më të votuarit në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Ajo ka zhvilluar një takim me kryetarin e partisë, Memli Krasniqi, ku është diskutuar për punën dhe objektivat afatgjata të saj në politikë.
Përmes një postimi, Jashari ka falënderuar Kryetarin Krasniqi dhe Kryetarin e Degës së Skenderajt, Sami Lushtakun, për mbështetjen dhe hapësirën e krijuar për të rinjtë në parti, transmeton DrenicaOnline.
“Njëkohësisht dua ta falënderoj Kryetarin z. Krasniqi dhe Kryetarin e Degës së Skenderajt, z. Sami Lushtaku, që më mundësuan të bëhem një shembull për të rinjtë e Kosovës, duke dëshmuar se secili prej nesh ka mundësinë të kontribuojë,” ka shkruar ajo.
Ajo ka vlerësuar përkushtimin e strukturave të PDK-së dhe aktivistëve, të cilët, sipas saj, gjithmonë dalin jashtë pritshmërive kur bëhet fjalë për Kosovën.
“Dhe të dashur votues, me besimin tuaj, puna jonë është e pandalshme. Gjithmonë besnike ndaj të gjithë ju mbështetësve të mi,” ka përfunduar Jashari.
Angazhimi i saj dhe rezultati i arritur tregojnë për një mbështetje të fortë brenda partisë dhe përkushtimin e saj për të vazhduar punën politike./DrenicaOnline/