Betim Gjoshi falënderon 15 mijë votuesit për mbështetjen në zgjedhjet e 9 shkurtit

Betim Gjoshi, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen e rreth 15 mijë votuesve në zgjedhjet e 9 shkurtit. Në një mesazh publik, ai ka theksuar se kjo përkrahje e madhe ka bërë që ky moment të jetë i paharrueshëm për të.

“E kam pritur mbështetjen tuaj, por në këtë mënyrë, numri juaj, besimi juaj, e bënë këtë moment të paharrueshëm për mua. Kjo është një fitore që nuk matet vetëm me votë, por me dashurinë dhe respektin që kam ndjerë nga secili prej jush,” ka shkruar Gjoshi.

Ai ka shprehur keqardhjen që për shkak të një aksidenti nuk ka mundur të jetë pranë qytetarëve përgjatë gjysmës së fushatës. Pavarësisht kësaj, ai ndihet krenar për garën dhe mirënjohës për çdo mbështetje, edhe pse për pak vota nuk arriti të sigurojë mandatin e deputetit.

“Kjo ishte një garë e fortë, e ndershme dhe e bukur. PDK-ja pati një listë të jashtëzakonshme kandidatësh, dhe të gjithë kolegëve që siguruan mandatin, ju uroj suksese! Jam i bindur se do të jenë zëri i qytetarëve tanë me dinjitet, përgjegjësi dhe përkushtim,” ka shtuar ai.

Gjoshi ka konfirmuar se do të vazhdojë të kontribuojë në PDK dhe për të ardhmen e Kosovës. Ai ka shprehur falënderime të veçanta për kryetarin e partisë, Memli Krasniqi, dhe kandidatin për kryeministër, Bedri Hamza, për lidershipin dhe vizionin e tyre në këto zgjedhje.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë