Shukri Buja kujton Fehmi e Xhevë Lladrovcin: Buzëqeshja e Fehmiut më ka mbetur përgjithmonë një buzëqeshje lirie
Ish-kryetari i Lipjanit dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Shukri Buja, ka kujtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin në 28-vjetorin e rënies së tyre, duke ndarë kujtime personale nga veprimtaria dhe rrugëtimi i përbashkët drejt luftës çlirimtare.
Buja ka treguar se me Fehmi Lladrovcin kishte bashkëvepruar jashtë vendit në shumë tubime dhe aktivitete për përkrahjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa lidhja e tyre ishte forcuar edhe më shumë gjatë rrugëtimit nga Shqipëria për t’u futur në Kosovë.
“U mishëruam edhe më shumë gjatë rrugëtimit tonë të përbashkët nga Shqipëria, duke u futur në Kosovë për t’iu bashkuar luftës çlirimtare, bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Fatmir Limajn dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë”, ka shkruar Buja.
Ai ka sjellë edhe një kujtim emocional nga ai rrugëtim, duke treguar për shakatë me Fehmiun gjatë kalimit nëpër borë.
“Nuk e harroj kurrë buzëqeshjen e Fehmiut kur e ngacmonim për Xhevën, duke i thënë se ajo ishte shënjestare më e mirë se ai me armë. Ai vetëm buzëqeshte… dhe ajo buzëqeshje për mua ka mbetur përgjithmonë një buzëqeshje lirie”, ka shkruar ai.
Buja ka kujtuar edhe Xhevë Lladrovcin, duke zbuluar se gjatë atij rrugëtimi ajo i kishte qepur një gjoksore për karikatorët e automatikut nga një thes konopi, të cilën ai e kishte përdorur në fillimet e luftës.
“Ishte një gjë e thjeshtë, por sot për mua është një kujtim i jashtëzakonshëm, një copëz e asaj kohe dhe e asaj rruge që e bëmë bashkë drejt Kosovës”, ka thënë Buja.
Në fund, ai ka theksuar se edhe 28 vjet pas rënies, emrat e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit vazhdojnë të jetojnë.
“Sot, pas 28 vitesh, emrat e tyre janë ende të gjallë dhe do të mbeten të tillë për sa kohë të jetojë Kosova për të cilën ata dhanë jetën. Lavdi jetës dhe veprës së Fehmi e Xhevë Lladrovcit!”, ka përfunduar Buja.



