Albulena Haxhiu në Drenas, përkujton Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin: Dashuria për njëri-tjetrin dhe Kosovën ecën krah për krah
Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në 28-vjetorin e rënies së heronjve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.
Haxhiu tha se në jetën e Fehmiut dhe Xhevës, dashuria për njëri-tjetrin dhe ajo për Kosovën ecën gjithmonë krah për krah, deri në ditën kur të dy ranë për lirinë e vendit.
Ajo kujtoi rrugëtimin e tyre të gjatë atdhetar, që nga veprimtaria kundër regjimit jugosllav, burgosja dhe përndjekja, mërgimi e deri te angazhimi i drejtpërdrejtë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Fehmiu do ta thoshte vetë, në një fjali që mbeti ndër më të fuqishmet nga koha e luftës: ‘Ma e shtrenjtë është liria se jeta’. Xheva nuk kishte nevojë ta thoshte. E gjithë jeta e saj, deri në qëndresën e fundit përkrah tij në Gradinë, dëshmoi të njëjtën bindje”, shkroi Haxhiu.
Ajo theksoi se Fehmi Lladrovci, në krye të Brigadës 114, kishte rol të rëndësishëm në organizimin, stërvitjen dhe drejtimin e njësive të UÇK-së, ndërsa Xheva Lladrovci ishte e angazhuar drejtpërdrejt në organizim dhe luftime.
Fehmi dhe Xhevë Lladrovci ranë më 22 shtator 1998, gjatë luftimeve me forcat serbe në Gradinë të Drenicës.
Në homazhe u nderuan gjithashtu Fatime Hetemi, Shefqet Zeka, Behxhet e Milaim Karaxha dhe Hamit Lladrovci.
“Emrat e tyre janë pjesë e pandashme e historisë sonë të lavdishme, e luftës dhe e sakrificës mbi të cilat u fitua liria e Kosovës”, përfundoi Haxhiu.


