Besjana Topalli, avokatja shqiptare në Britani që ndihmon viktimat e lëndimeve personale

Besjana Topalli, avokate me prejardhje nga Drenasi, po ndërton karrierën e saj profesionale në Mbretërinë e Bashkuar, ku është e angazhuar në përfaqësimin dhe këshillimin e personave që kërkojnë kompensim pas lëndimeve personale.

Ajo është pjesë e kompanisë juridike Levenes Solicitors, ku merret me raste që përfshijnë aksidente në punë, aksidente me motor apo biçikletë, aksidente jashtë vendit, neglizhencë klinike, dëmtime të trurit dhe shtyllës kurrizore, amputime dhe sëmundje industriale.

Topalli iu bashkua Levenes Solicitors në vitin 2023, ndërsa në shtator të vitit 2025 u kualifikua si solicitor në Mbretërinë e Bashkuar.

Rrugëtimi i saj profesional është ndërtuar pas një periudhe të gjatë studimi dhe angazhimi në fushën juridike. Ajo fillimisht përfundoi studimet në Sociologji, më pas Graduate Diploma in Law dhe Legal Practice LLM, duke u përgatitur për ushtrimin e profesionit të avokates.

Përvoja e saj përfshin edhe punën në fushën e emigracionit, ndërsa sot fokusi kryesor i saj është mbrojtja e interesave të klientëve që kanë pësuar lëndime dhe kërkojnë kompensim.

Në kuadër të punës së saj, Topalli ofron edhe mbështetje për komunitetin shqiptar në Britani, ndërsa Levenes Solicitors ofron konsultime fillestare dhe trajtim të rasteve të lëndimeve personale.

Puna e saj profesionale është edhe vazhdim i një historie personale të veçantë. Familja e Besjanës ishte larguar nga Kosova gjatë luftës, ndërsa ajo kishte mbërritur në Britani vetëm shtatë muajshe, e fshehur së bashku me familjen në pjesën e pasme të një kamioni.

Vite më vonë, vajza e një familjeje refugjatësh nga Kosova është bërë pjesë e sistemit juridik britanik, duke e kthyer përvojën dhe përkushtimin e saj në një profesion përmes të cilit sot ndihmon të tjerët.

Për Besjana Topallin, puna si avokate nuk është vetëm një arritje profesionale, por edhe mundësi që njohuritë e saj juridike t’i vendosë në shërbim të njerëzve që kanë nevojë për mbështetje dhe drejtësi.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë