Isak Neziri e nis ditën me Ramiz Lladrovcin: Bashkë për një Kosovë që mundet më mirë!
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Isak Neziri, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke konfirmuar edhe një herë lidhjen e fortë mes strukturave të PDK-së në këtë komunë, transmeton portali DrenicaOnline.
Në një postim në rrjetet sociale, Neziri e ka quajtur Lladrovcin një bashkëveprimtar të hershëm të presidentit Hashim Thaçi, duke theksuar se i pret shumë punë për të ndërtuar një Kosovë më të mirë.
Neziri, i cili konsiderohet një nga pretendentët kryesorë për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës, po intensifikon fushatën e tij, duke u fokusuar te qytetarët e Drenicës dhe më gjerë.
“Shumë punë na pret për një Kosovë që mundet më mirë!” – ka shkruar ai në postimin e tij, të shoqëruar me hashtagët e PDK-së dhe numrin e tij zgjedhor.
Ky takim shihet si një sinjal i rëndësishëm për elektoratin e PDK-së, ndërsa gara zgjedhore po bëhet gjithnjë e më e fortë.