“Presidenti Thaçi shumë shpejt do të kthehet në Kosovë”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, ka shprehur bindjen se ish-presidenti Hashim Thaçi do të kthehet së shpejti në Kosovë, duke e cilësuar procesin gjyqësor ndaj tij të padrejtë dhe të mbështetur në dosje të përgatitura nga Serbia.

Në një video të publikuar në Facebook, Kastrati ka theksuar se gjyqtarët e Dhomave të Specializuara janë “dridhur” në momentin kur Thaçi ka ngritur dorën për t’u mbrojtur, duke potencuar se “historikisht, sa herë që Thaçi ka ngritur dorën, ai gjithmonë ka pasur të drejtë”.

“Përballë mbi 250 mijë ushtarëve të Serbisë, Thaçi nuk u mposht, dhe as kjo gjykatë nuk do të mund ta mposhtë. Kjo gjykatë, që funksionon me dosje të Serbisë dhe me bashkëpunëtorë të saj në Kosovë, është në panik, sepse aktakuza e fundit ka treguar se lufta jonë ishte e drejtë dhe se nuk kanë fakte,” ka theksuar Kastrati.

Deputeti i PDK-së shtoi se kthimi i Thaçit në Kosovë është “shumë afër” dhe do të jetë një moment që do të konfirmojë drejtësinë e luftës së UÇK-së.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë