Familja mes lotëve e trishtimit: Djalin e përcollëm shnosh si molla, na erdhi në sanak copa- copa
Janë bërë më shumë se një muaj që nga vdekja e trishtë e 43-vjeçarit nga Peja, Visar Muriqi.
I ndjeri, më 11 tetor të këtij viti ishte kontaktuar nga një bashkëvendës që në një pompë derivatesh, të bënte shndërrimin e bombolës së gazit në mënyrë që e njëjta të përdorej për derivate të tjera.
Pa e ditur se ajo do të jetë dita e fundit e jetës së tij, Visari e pranoi këtu punë për hiç më shumë se 30 euro.
Shpërthimi i cisternës ishte fatal për të. IndeksOnline ka vizituar familjen e të ndjerit, për të mësuar më shumë rreth këtij rasti.
Prindërit e Visarit nuk i ndalin lotët për as edhe një moment, derisa rrëfejnë se si mësuan për vdekjen e të birit.
Tryezën e mëngjesit atë ditë e shtruan pa të, kafshatë kjo që u mbeti në fytë me të marrë lajmin për vdekjen e të birit.