17 nëntor 1994, Nait Hasani tregon momentin kur u vendos themelimi i UÇK-së në Tiranë, dokumentin e nenshkroi Xheladin Gashi, Azem Syla, Rexhep Selimi…
Nait Hasani, një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një intervistë në FRONTAL të T7 ka folur për 17 nëntorin e vitit 1994 kur edhe ishte marrë vendimi për të themeluar UÇK-në. Hasani ka thënë se kjo iniciativë kishte ardhur si rezultat i një sërë veprimesh paraprake dhe gjithashtu edhe si pasojë e gjendjes së rënduar atë kohë në Kosovë, pas dhunës dhe maltretimit të vazhdueshëm ndaj popullit nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
“Njerëzit kishin hup shpresën. Secili shihte mundësinë si të ikte jashtë. Policia torturonte rrugë, fshatra, qytete. Policia dhunonte vajzat. Studentët i torturonte. Kishte humbur shpresa. Kështu që tani mes njerëzve që ishin të gatshëm të rezistojnë dhe të luftojnë, kishim njerëz ne. Kishim familjar, shok, të afërm që ata pritnin një shkëndij, apo një formë të rezistencës”, ka thënë Hasani në FRONTAL.
Ai ka treguar edhe për momentin kur ka ndodhur formalizimi i nismës për themelimin e UÇK-së. Hasani në FRONTAL ka thënë se bashkë me Xheladin Gashin, Rexhep Selimin, Sokol Bashotën, Azem Sylën e Xhavit Halitin, kishin mbajtur një takim në Tiranë në një shtëpi afër kazemrës Skënderbeu, ku edhe kishin nënshkruar dokumentin për themelimin e shtabit qendror të UÇK-së.
“Bashkë me Xheladin Gashin, Rexhep Selimin, Sokol Bashotën, Azem Sylën, Xhavit Halitin, kemi shku në Tiranë dhe kemi diskutuar formën se çfarë do të bëjmë më tutje. Sepse s’është e lehtë të hysh në një veprim e të mos dish kah po shkon. Unë kam thënë që marrë përgjegjësi për të luftuar brenda, jo të dalë jashtë. Qëllimi është, nëse ne luftojmë, ta bëjmë një veprim e të qëndrojmë këtu, jo me ikë jashtë. Bashkë në shtëpinë e … tek kazerma Skënderbeu, kemi diskutu dhe kemi marrë vendim që ne të nënshkruajmë, ka nënshkru Azem Syla, Xhavit Haliti, unë dhe Xheladin Gashi, për formimin e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Nait Hasani.
“Dokumenti ka pasur një fjali, nga sot organizohemi si shtab qendror i UÇK-së për çlirimin e Kosovës, kaq. Edhe janë nënshkrimet. I kemi ndarë detyrat. Detyrat e brendshme i kemi marrë unë dhe Xheladin Gashi, për jashtë Xhavit Haliti dhe Azem Syla”, ka thënë Hasani./GazetaExpress/