Buja lavdëron Krasniqin në Hagë: Një personalitet i jashtëzakonshëm, ka pasur vizion politik
Shukri Buja, ish-komandant i Zonës së Nerodimës në kuadër të UÇK-së, është pyetur për rolin e Jakup Krasniqit, i cili po gjykohet në Hagë.
Buja, që po dëshmon për të tretën ditë me radhë në Gjykatën Speciale, ka thënë se detyrat operative për Krasniqin nuk kanë pasur kuptim, pasi ka qenë zëdhënës.
“Ka qenë zëdhënës i UÇK-së dhe detyrat operative nuk kanë kuptim”, tha Buja, transmeton Betimi për Drejtësi.
Tutje, Buja ka pasur një vlerësim pozitiv për figurën e Krasniqit, duke e quajtur “personalitet të jashtëzakonshëm”.
“Jakup Krasniqin në emërimin si zëdhënës i UÇK-së e kam prit me padurim sepse ka qenë një personalitet i jashtëzakonshëm. Një njeri që ka pasur vizion politik të jashtëzakonshëm dhe ka qenë një njeri që është pritur në mënyrë jashtëzakonisht të mirë nga popullata civile”, tha Buja, duke shtuar se Krasniqin e ka takuar rreth qershorit 1998.