Haziri: Do të qëndrojmë gjithë natën në shesh, nesër në orën 08:00 të gjithë para dyerve të Kuvendit
Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka njoftuar në natën e 19-të të protestës se protestuesit do ta kalojnë gjithë natën në shesh, ndërsa ka ftuar qytetarët të bashkohen nesër nga ora 08:00, para seancës së Kuvendit ku pritet të shqyrtohet ligji që mbron UÇK-në.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Haziri tha se ende nuk është arritur marrëveshje për votimin e ligjit, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të protestuesve.
“Sonte do ta kalojmë natën këtu, në shesh! Ne do të qëndrojmë jashtë, të bashkuar, për të pritur zbardhjen e ditës dhe për t’i pritur nesër sy më sy deputetët që do të hyjnë në seancën e Kuvendit”, deklaroi ai.
Haziri theksoi se protestuesit nuk do të tërhiqen nga kërkesa për miratimin e ligjit.
Ai kritikoi kushtëzimin e kësaj çështjeje me marrëveshje për poste institucionale, duke e cilësuar një qasje të tillë të papranueshme dhe fyese.
Sipas Hazirit, UÇK-ja është themeli i shtetit të Kosovës dhe duhet t’i bashkojë të gjithë, pa dallime partiake.
Ai ftoi qytetarët t’u bashkohen protestuesve gjatë natës dhe të mblidhen nesër nga ora 08:00, ndërsa protestën masive e paralajmëroi për orën 08:30, para fillimit të seancës.
“Ejani sonte! Ejani nesër në 08:00! Të bëhemi një zë e një grusht, në mbrojtje të vlerave të luftës dhe dinjitetit tonë kombëtar”, përfundoi Haziri.


