Reagon edhe Llapi për largimin nga gara të Feronikelit ’74: Kërkon të rregullohet referimi
Ndeshja mes Llapit dhe Feronikelit ’74, e zhvilluar të mërkuren e cila u mbyll me barazim 2-2, ishte një nga arsyet kryesore që skuadra nga Drenasi të tërhiqet nga garat.
Ky vendim nga Feronikeli ’74 në bazë të njoftimit ka ardhur për arsye të referimit të njëanshëm.
Nikli kishte epërsinë prej dy golave, por që Llapi e barazoi rezultatn në 90+6, duke shtyrë klubin nga drenasi të akuzojë gjyqtarët.
Pas tërheqjes së Feronikelit ’74 nga garat, ka reaguar edhe klubi i Llpait.
KOMUNIKATË
Ne si nënkampion i Kosovës ndajmë shqetësimin e FC Feronikeli ’74 për largimin e tyre nga garat e Superligës, dhe besojmë se ky veprim nuk kontribuon aspak në zhvillimin e futbollit kosovar. Që nga riorganizimi i klubit tonë në vitin 2013, KF Llapi ka qenë i përkushtuar dhe i orientuar drejt standardeve të futbollit evropian, duke synuar të japim kontribut të vazhdueshëm për përmirësimin e futbollit në vendin tonë. Përgjatë këtyre viteve, kemi ndërtuar një bazë të qëndrueshme dhe kemi kontribuar në zhvillimin e shumë talentëve të rinj.
Megjithatë, shqetësimi ynë ka qenë përherë konsistent: ne kërkojmë që gjërat në referim të rregullohen dhe kampionati të jetë sa më i drejtë dhe korrekt. Në një ndeshje të para dy javëve, pësuam një gol të parregullt që u anashkalua nga zyrtarët e ndeshjes, ndërsa gjyqtarët nuk u penalizuan për gabimin e bërë. Madje, disa nga gjyqtarët e përfshirë u vlerësuan me notën më të lartë. Për ne, nuk ka rëndësi kush dëmtohet apo favorizohet, por ky proces dëmton imazhin e futbollit kosovar.
Kryesia e KF Llapit, për më shumë se 12 vite investon dhe kërkon transparencë e korrektësi në çdo ndeshje. Futbolli nuk duhet të përcaktohet nga investimet financiare apo nga preferencat e zyrtarëve. Është esenciale që çdo investim të respektohet dhe që asnjë klub të mos ndihet i dëmtuar apo i favorizuar. As në futbollin evropian nuk ndodh që gjyqtarët të ndikojnë në rezultatet e ndeshjeve sipas dëshirave personale.
Prandaj, edhe një herë, si klub, ngremë zërin për transparencë në futbollin kosovar. Besojmë se është koha për të siguruar një kampionat të drejtë dhe të ndershëm, që përfaqëson vlerat e sportit dhe punën e gjithsecilit që investon në këtë lojë.
Me respekt,
Kryesia e KF Llapi