Elmi Shala kërkon të respektohet rregullorja për procesin zgjedhor në OVL- Drenas
Shkruan: Elmi Shala (kandidat për kryetar të OVL- Drenas)
Zgjedhjet për OVL-dega në Drenas po afrohen, është e rëndësishme dhe e domosdoshme të zhvillohen zgjedhje që kanë legjitimitet dhe që përfaqësojnë të gjithë veteranët e UÇK-së të cilët mishërojnë vlerat sublime të saj, në njërën ndër degët më të mëdha në nivel vendi. OVL në Drenas, duhet të japë shembull demokracie për organizatat tjera simotra në tërë Kosovën.
Për të pasur legjitimitet një proces zgjedhor, domosdo do respektuar Rregullorja për zgjedhjet në Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila përcakton procesin e zgjedhjeve, të drejtën në zgjedhje dhe çështje të tjera lidhur me zgjedhjet në Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Rregullores, janë disa procedura të cilat duhet të ndiqen e respektohen deri në zgjedhjen e Kryetarit të OVL-së. Neni 6, paragrafi 1, përcakton se “Pas caktimit të zgjedhjeve sipas dispozitave të kësaj rregullore, njoftohen veteranët luftëtarë të komunës përkatëse për ditën, vendin dhe kohën e mbajtjes së zgjedhjeve” të cilët me votim të fshehtë e zgjedhin Kuvendin i Organizatës në nivel komunal (neni 6, paragrafi 2 & 4).
Deri më sot, 24.9.2024, veteranët e Drenasit nuk janë njoftuar publikisht për zgjedhjet në nëndegët e OVL, përfaqësimin nga nëndegët dhe verifikimin e atij procesi si dhe delegatët e përzgjedhur nga nëndegët për Kuvendin zgjedhor.
Nuk kanë pasur kuvende të nëndegëve në OVL të Drenasit ku veteranët do të mund ta ushtronin të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur delegatët e tyre. Vetëm pas kësaj do të mund të krijohen komisionet përkatëse të cilat i kanë përgjegjësitë e caktuara sipas rregullores, respektivisht, verifikimin e mandatit të delegatëve, të kandidaturave dhe të udhëheqin procesin zgjedhor, numërimin e votave si dhe publikimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Pas zgjedhjeve në nëndegë, jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas konstituimit të tyre kuvendi në nivel komunal me vota të fshehta zgjedh Këshillin Drejtues në nivel komunal (Neni 9). Më tutje, sa i përket Zgjedhjes së Kryesisë dhe të Kryetarit, Neni 10 i Rregullores shprehimisht thotë se Këshilli Drejtues i Organizatës, se jo më vonë se shtatë (7) ditë pas konstituimit e zgjedhë Kryetarin dhe Kryesinë e Organizatës.
Andaj duke u nisur nga kjo që u tha më lart, vlerësoj se të gjitha procedurat zgjedhore të parapara sipas Rregullores nuk janë respektuar dhe dëmtojnë seriozisht vullnetin zgjedhor të veteranëve për zgjedhjen e Kryetarit të OVL-së, dega në Drenas. Si veteranë të UÇK-së sonë të shenjtë na takon që të respektojmë vullnetin e bashkëluftëtarëve tanë dhe ta nderojmë kontributin dhe zërin e tyre duke u ofruar një proces të drejtë e demokratik zgjedhor.
Andaj, procedurat që duhet ndjekur fillimisht janë si në vijim:
Kryesia e OVL Dega në Drenas, ka për obligim të përcaktoj detyrat dhe oraret e procesit zgjedhor, si dhe:
– Të caktojë orarin e mbajtjes së tubimeve zgjedhore për secilën nëndegë dhe të sigurojë lokacionin.
– Të zgjedh të paktën 3 anëtarë për monitorimin e tërë procesit zgjedhor.
– Pasi të zgjedhen të gjithë delegatët, të përpilojë listën me propozime për Këshillin e ri Drejtues.
– Sekretari të verifikoj dhe konfirmoj vendimet për secilin delegat dhe kryetar nëndege.
– Të caktojë datën e mbajtjes së Kuvendit, të sigurojë lokacionin dhe të ofrojë tërë mbështetjen për zhvillimin e procesit transparent dhe demokratik.
Në Kuvendin zgjedhor Komunal të Organizatës zgjedhen tri Komisione: Verifikues; Kandidues dhe Komisioni zgjedhor.
1. Komisioni verifikues ka përgjegjësi të bëjë verifikimin e mandatit të delegatëve sipas kushteve të përcaktuara me dispozitat e kësaj rregullore.
2. Komisioni kandidues ka përgjegjësi të bëjë verifikimin e kandidaturave për organe drejtuese në bazë të kësaj rregulloreje.
3. Komisioni zgjedhor ka përgjegjësi të udhëheqë procesin zgjedhor numërimin e votave si dhe publikimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Me respekt,
Elmi Shala