Afrim Hysenaj: Paska ndërruar jetë, Nazmi Muçolli

NAZMI_MUÇOLLI! 20.02.1959 – 27.08.2024

VEÇ NJË HERË JAM KANË N’ATË BODRUM, KURRË MA S’KAM MUJT ME SHKU

Gjatë luftës keni qenë pjesëtar i UÇK-së?
Po, prej që u themelu pika në Poklek kam qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në fillim u kanë si msheftë, kur janë ardhë Misini e Kujtimi (Kluna) mem thanë që a don me kanë pjesë e UÇK-së. U kam thanë po menjëherë, veç a ka shqiptarë që lufton kundër shkaut, se me ta jam. As gruja as vllau s’e kanë ditë n’fillim. E kom pas odën, e kum lshu për UÇK, qashtu edhe shpijen e kom lshu krejt çka ka pas nevojë UÇK-ja, dhe për refugjatë që ikshin prej kah mosi, kom pas edhe refugjatë t’fshatit Poklek të Ri.
Familjarët Muçolli i keni fqinjë. Si e kujtoni jetën para luftës me ta?

Po, i kam njoftë te tanë, edhe babagjyshin e tyne, Rexhën, e kom njoftë, tani edhe këta tjerët, krejt, e me kta djemtë e tyne jemi kanë bashkë n’luftë. Kam kalu mirë me krejt. I kom pas raportet e mira me tanë, me Sinanin kam kalu fort mirë… (emocionet e ndërpresin rrëfimin e tij kur i kujton Muçollët). S’ke mujt me krahasu kërkan me Sinanin. Na bijke bukë me krah e n’kambë prej Sllatine, n’kohë t’luftës, kurrë s’na ka lanë vetëm. Pasha Zotën me krejt kam kalu mirë. I kena pas bashkë dekë e drekë, që thojnë ni fjalë.

A ju kujtohet 17 prilli 1999, ku ishit dhe kush jua dha lajmin për krimin te Muçollët?
Na thanë që jemi t’rrethekum prej shumë forcave serbe dhe duhet me u tërhjek e mos me gjujt në shkije sot. Jemi dalë n’male Dobroshecit ni pjesë e ushtarëve. Municion dhe armë kishim shumë pak. Me neve janë kanë edhe Shabani e Muhameti. I nijsha diçka folshin do shokë përanash, po s’mujsha saktë me marrë vesh. Ni Haradin Ferizi na ka pru lajmin, qaty e di që e kena marrë vesh mas pari herë çka ka ndodh. A kanë me Muçolltë edhe familja jem kur janë nis me dalë n’Drenas.

Si vepruat kur dëgjuat çfarë ka ndodhur?
M’kujtohet, jam nis me dy ushtarë, me qat Haradinin dhe me ni tjetër, s’pom kujtohet emni, e kena ardhë n’Poklek deri te llastikat e Cërvadikëve, aty kena nejt gjithë ditën. Kur u ra terri u lshum n’shkollë. Jam zatet me bacin Ramadan. Pasha Zotin iu afrojsha ngat e vetsha, a ka pshtu kush a qysh, a janë dekë krejt… thojke t’juvt kanë pshtue.

Ish ba njeri si do tesha t’punës, ngjyrën e tyne e kish marrë ftyra e tij. M’kallxoi çka i ka ndodhë familjes tina.

Aty e takova edhe çikën e Elmisë, Elhamën, ish kanë e plagosne. M’tha baci Naz ata tut kanë pshtue…

E maj men kur u ardhë Xhaviti, mas 5-6 dite, jena kanë tu nejt n’qat shpinë qatje (bën me dorë…).

Natën e parë kom ra ni sobë me ta e s’kom mujt me i kallxu, po kurrë gjumë n’sy s’kom mujt me shti… t’nestrit kah 7:00 ora, i kallxoi Elmia… (nuk mund të flasë prej lotëve).

Fort u majt Xhaviti… i kanë pas nuset e thminë shumë t’mirë… e krejt t’reja e t’ri.

Ma vonë, pas disa dite që ka ndodhë ngjarja, n’shpinë tonë janë strehu edhe Lumja me çikë, edhe Elhamja ka nejt disa ditë, derisa njana u shku për Berishë e njana për Shqipni. Sa kena mujt iu kena nejt gati me çka kena pas mundesi… Elhemes i ka nejt gati fort, Samilja, gruja e Mujë Muçollit.

Keni qenë edhe në shtëpinë ku ka ndodhur krimi?
Po, jam kanë aty, edhe kom marrë pjesë n’tubimin e atyne eshtnave dhe i kena shti n’llastika. Jom kanë me qeta bashkëluftëtarët e Poklekut. Pastaj kam zbrit edhe poshtë n’bodrum dhe i kam pa tre-katër vendet ku ishin puçillat (pjesë të tokës të mbuluar me gjak) e gjakut. Veç një herë jam kanë n’atë bodrum, kurrë ma s’kam mujt me shku.

Në sallon të shtëpisë të Sinanit, çfarë patë?
Veç eshtna edhe ni krahnor t’vogël të ashtit, krejt t’kalltë janë kanë, krejt shkrum, krrsh, krejt eshtna e hi… kemi gjetë pjesë t’stolive, dukat t’grave që janë kanë nuse t’reja, gjajshim kilikera t’fëmive. I kanë marrë familjarët.

A keni marrë pjesë në tërheqjen e mbetjeve mortore nga vendkrimi?
Jo, në bartjen e tyne s’kom marrë pjesë, por bashkë me shokë e kam ndërtu bunkerin, qitu afër n’mal e kena maru (bën me dorë në drejtim të malit). Kur i kanë vendos eshtnat në bunker s’jam kanë aty. Aq mirë u kanë i ndërtum bunkeri, sa mbi ta kanë nejtë forcat serbe dhe s’kanë mujt me hetu ku asht’.
A keni marrë pjesë në nxjerrjen e trupave prej bunarëve?
Po, kam marrë pjesë në nxjerrjen e trupave të Sinanit, Ymerit dhe Halim Klunës. Sinani dhe Ymeri janë kanë t’mytun n’bunar, n’oborr t’bacit Halil, afër shpisë ku u ba krimi. Ndërsa Halimi dikun tjetër. Misin Kluna dhe Tahir Krelani janë hi n’bunar e i kanë nxjerrë trupat e Sinanit e Ymerit. Halimin ka hi prapë Misini e ka nxjerrë. Ai e kish pas ni radilicë a dobosh t’lidhun për trupi me tel, që mos me mujt me dal mbi ujë.

Me sajllë e kena ngreh Halimin, se na u kput kanopi. E kish pas ni plum n’gjyks Halimi.
Mas katër-pesë dite që ka ndodhë krimi, gruja jem u nis për Maqedoni me do refugjatë. Dikush prej refugjatëve u kish thanë, nëse ju vesin për masakër të Poklekut, mos folni e mos kallxoni kurrgjë, se ju nalin… as mos kallxoni që jeni prej familjes Muçolli.

Ishin kanë vendos mas pari në Çegran. Aty ishin kanë shku do gazetarë me përkthyes. Kishin nie se dikush i Muçollëve të Poklekut asht’ aty. Ata e kishin vetë çka ka ndodh. Kjo krejt çka ka nie iu kish pas kallxue për Poklek të Vjetër.

Djali jem, atëherë u kanë 11 vjeç, ka kallxu për ni shka, kur janë shku me hyp n’autobus për Maqedoni, i ka nal e i ka vet a asht’ najkush me mbiemnin Muçolli? Thojke djali:
Z’bajshim za kërkush. Ai shkau e dijke që e ka da kolonën përgjysmë te xhamia. I interesojke ekstra a ka familje Muçolli.

E kom vetë djalin qysh u doke ai milici. Tha: E kujtoj, u kanë me uniformë t’milicisë, e ka pas ni shirit t’kuq t’vendosun n’krah, u kanë shumë i gjatë me trup. U kanë kah 30-35 vjeç, i ka pas floktë e zeza, si zeshkan u kanë. I rrum n’ftyrë, jo me mjekërr.

#PS– Qysh në takimin e parë, mikpritja dhe ndjenja e dhimbjes e këtij burri, më ka befasuar për t’mirë. Viteve të fundit lëngonte nga një sëmundje e gjunjëve, lëvizjet e tij bëheshin vetëm përmes karrocës. Në vitin 2023, i kam marrë intervistën që e lexuat. Ndërsa në mesin e majit 2024, së bashku me Xhavit Muqollin, e vizituam dhe i dhuruam librin, pjesë e së cilës është baca Nazmi. Tepër i emocionuar e ka pranuar librin, por edhe i gëzuar që ai krim, u bë libër i dokumetuar. Varrimi i tij bëhet sot në ora 18:00 në Poklek.
T’pushoftë shpirti n’parajsë, baca Nazmi!

Ngushëllime Familjes, farefisit, bashkëluftëtarëve dhe miqëve!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë