Drenasi pa ujë të pijës/ Lladrovci e dënon ashpër papërgjegjësinë e ujësjellësit rajonal “Prishtina”
Komuna e Drenasit është duke ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit të mungesës me ujë të pijshëm për qytetarët e Drenasit.
“Kjo ka bërë që me të drejtë të vërshohemi me ankesat e qytetarëve tanë për mungesën e ujit të pijshëm sidomos në këtë kohë feste”, thuhet në reagimin e Komunës.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, së bashku me Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë në Komunën e Drenasit, janë angazhuar të informohen për arsyjet e mungesës së ujit të pijshëm nga KRU “Prishtina”.
Prandaj është kontaktuar në mënyrë të vazhdueshme drejtori i njësisë së KRU “Prishtina” në Drenas, Ismet Baliu, i cili nuk ka qenë i qasshëm në telefon dhe se nuk është marrë asnjë informatë nga ai.
Komuna e Drenasit, përkatësisht kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, dënojnë ashpër sjelljen e papërgjegjshme të udhëheqësve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, e cila lë qytetarët e Drenasit pa ujë të pijshëm, pa dhënë as edhe një sqarim të vetëm.
Qytetarët e Drenasit nuk meritojnë një trajtim të tillë nga njerëz të papërgjegjshëm, të cilët paguhen nga taksat e qytetarëve tanë dhe nga faturat që ata paguajnë.
I bëjmë thirrje të marrin masat e nevojshme dhe të rikthehet furnizimi i rregullt me ujë të pijes për qytetarët tanë, të cilëve po ju vështirësohet mënyra e jetesës nga sjelljet e papërgjegjshme të zyrtarëve të papërgjegjshëm.