Në Drenas shënohet përvjetori i Kongresit të Manastirit, Lladrovci: Njësimi i alfabetit ishte hap historik

Nën organizimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Drenasit, sot u shënua përvjetori i 115-të i Kongresit të Manastirit, ku fjalë rasti mbajti drejtoresha Enkela Dema, programi vazhdoi me fjalën e rastit nga shkrimtari Adem Gashi dhe në emër të kryetarit Lladrovci, foli Petrit Sinani. Gjatë këtij programi u emitua pjesë nga filmi “Udha e shkronjave” dhe vajzat e “Shqipet e Drenicës” ekzekutuan një valle.

Lidhur me këtë organizim për Kongresin e Manastirit, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka shkruar në rrjetin social, si vijon:

Me një manifestim kulturor, shënuam përvjetorin e 115 të Kongresit të Manastirit, ku alfabeti i gjuhës shqipe u unifikua, për të mbetur kod e shenjë e një kulture të veçantë, unike, shenjë identiteti i botës shpirtërore e fizike të shqiptarëve, kudo jetojnë.

Me 36 shkronjat e alfabetit tonë, dëshmuam se jemi një, me to, mund të përshkruajmë gjuhën e folur, me shprehjet më të bukura krah gjuhëve të shkruara e të kultivuara të botës, faktet, ndjenjat dhe emocionet.

Prandaj, njësimi i alfabetit përbën hapin historik brenda njësisë së kombit dhe ne me krenari e kujtojmë dhe shënojmë këtë datë duke kujtuar të gjithë dëshmorët e gjuhës, kulturës, identitetit e të arsimit shqip.

Gjuha shqipe u dëshmua se jeton nga fillimi i botës, si ndër tri gjuhët më të vjetra ekzistuese, me ne dhe brezat që do të vijnë, do të jetojë për aq sa do të ekzistojë bota.

Falënderoj Drejtorinë e Kulturës, Rinisë e Sportit për organizim dhe shkrimtarin e mirënjohur Adem Gashin për pjesëmarrjen dhe fjalën e rastit si dhe “Shqipet e Drenicës”.


https://www.instagram.com/p/Cz8_m_hto1Z/?igshid=MzRlODBiNWFlZA==

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë