Kush janë të rinjtë që tentuan ta vrasin 21-vjeçarin në Drenas/ Ky dyshohet të jetë motivi

Mbrëmë dhe sot u raportua për një vrasje në tentative që ndodhi në restorantin “Bulevard” në Drenas, ku pas një përleshje mes të rinjve u ther me thikë në kokë një të 21-vjeçar.

Sinjali ka mësuar identitetin e dy të dyshuarve që u arrestuan për këtë rast dhe motivin e ngjarjes.

Sipas burimeve, personat që përfunduan në prangat e Policisë pasi dyshohen se rrahën dhe therën me thikë të riun janë Imer Behrami, 25-vjeçar dhe 17-vjeçari, A. Sh.

Për shkak të sulmit, i riu ka marrë ndihmë mjekësore fillimisht në QKMF-në në Drenas,  e më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të plagëve që ka pësuar gjatë përleshjes.

Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës thonë se viktima është sulmuar me një pjesë të armës në kokë nga njëri i dyshuar, teksa tjetri e ka goditur me thikë në shpinë.

Motivi i përleshjes dyshohet të jetë një mosmarrëveshje pas lojës së dy skuadrave të futbollit “Drenica” nga Skenderaj dhe “Feronikeli” nga Drenasi, të cilën palët e përfshira po e  përcillnin si tifozë.

Pas marrjes së deklaratave nga të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e dy të dyshuarve, në Qendrën e Mbajtjes në Drenas dhe ndaj tyre është iniciuar rasti “vrasje në tentativë”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë