Njoftim për deponinë e mbeturinave inerte në Llapushnik
Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë informon qytetarët e Komunës së Drenasit se është bërë largimi i mbeturinave në pjesën hyrëse dhe jashtë rrethojës së deponisë inerte në fshatin Llapushnik, e cila ka qenë e bllokuar në hyrjen kryesore duke e bërë deponinë jo funksionale.
Bëjmë thirrje qytetarëve që mbeturinat inerte në deponinë e destinuar ti hedhin në pjesën e brendshme (pasi ekziston hapësirë e mjaftueshme) e jo në hyrje të saj. Hedhja e mbeturinave në pjesën hyrëse paraqet problematikë duke bllokuar pjesën e brendshme të saj dhe duke e bërë jo funksionale deponinë.
Me qëllim të parandalimit të hedhjes së mbeturinave jashtë rrethojës, deponia do të jetë në mbikëqyrje të vazhdueshme nga inspektoriati dhe policia, në mënyrë që të parandalohet hedhja e mbeturinave në hyrje dhe jashtë saj, ku për të gjithë ata të cilët praktikojnë një gjë të tillë do të merren masa sipas ligjeve në fuqi.
Kujtojmë se kjo deponi është caktuar nga Komuna e Drenasit për hedhjen e mbeturinave ndërtimore, në mënyrë që të parandalohet krijimi i deponive ilegale me përmbajtje të këtij lloji të mbeturinave.
Inkurajojmë të gjithë qytetarët që mbeturinat ndërtimore ti hedhin në pjesën e brendshme të deponisë!
Vendi i caktuar (nën rrethojë) për hudhjen e mbeturinave ndërtimore gjendet në fshatin Llapushnik – Komuna Drenas (kordinatat gjeografike 42.567743, 20.872830).
Më poshtë nëpërmjet fotografive është paraqitur gjendja e hyrjes së deponisë para dhe pas ndërhyrjes nga Kompania e Pastrimit.


