Vdes veterani i arsimit nga Drenica
Ka vdekur në moshën 88-vjeçare veterani i arsimit, albanologu Sefer Seferi, i cili ishte njëri ndër mësuesit e parë në Drenicë.
Seferi fillimisht ishte mësues i shkollës “Azem Bejta” në Prekaz, pastaj drejtor në këtë shkollë, për të kaluar pastaj për shumë vite si drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Skenderaj, të cilës edhe ia vuri emrin “Hasan Prishtina”.
Kontributi i tij në sferën e kulturës ishte i jashtëzakonshëm. Në kohen sa ishte drejtor në Shtëpinë e Kulturës, u themelua Ansambli i Drenicës, ku dolën shumë artistë, duke realizuar shfaqje teatrale dhe zhanre filmike.
Gjithashtu Seferi ka themeluar bibliotekën e qytetit të Skenderajt, duke organizuar edhe sallën e leximit, e cila ishte funksionale gjatë kohës sa ishte drejtor dhe u shfrytëzua nga lexuesit e Drenicës për pasurim të dijes.
Në kohën sa ishte drejtor janë shfaqur me se 37440 drama, shfaqje kinomatografike, koncerte dhe evente popullore. Një ndër dramat më kryesore vlen të përmendet drama “Hakmarrja”, po ashtu koncerti “Është Kosova, është Shqipëria” dhe filmi i popullarizuar “Top Gun”.
Varrimi i të ndjerit bëhet sot, në orën 14:00, në varrezat e vendlindjes në Prekaz, afër shkollës “Azem Bejta”

