Lladrovci merr pjesë në takimin online me Qeverinë, kërkon kompensim për dëmet nga vërshimet

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka marrë pjesë në takimin online të kryetarëve me Qeverinë e Kosovës, për të diskutuar lidhur me situatën aktuale nga vërshimet, buxhetin e vitit 2021 – Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike, Investimet Kapitale në Komuna dhe pagesat e mbetura nga viti 2020.

Në këtë takim me kryeministrin e Qeverisë, Avdullah Hoti dhe ministrat, Kryetari Lladrovci i njoftoi për situatën pas vërshimeve në Drenas dhe dëmet që janë shkaktuar në ekonomi familjare, biznese, kultura bujqësore e infrastrukturë publike.

Me këtë rast, kryetari Lladrovci ka kërkuar që të kompensohen dëmet e shkaktuara nga vërshimet meqë komunat nuk kanë mundësi buxhetore.

Kryetari Lladrovci i informoj edhe për formimin e komisioneve komunale, të cilat tashmë janë në teren për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Në këtë takim, ai kërkoi nga ministritë që të mos lidhin marrëveshje kolektive pa mbulueshmëri buxhetore, sepse pastaj janë të detyruar të marrin masa për shkak të pasojave që prodhojnë këto marrëveshje pa buxhet.

Në këtë takim gjithashtu u kërkua një zgjidhje për pagesat e parealizuara nga vitit i kaluar meqë komunat kanë hyrë në obligime ndaj operatorëve në projekte dhe shërbime të kryera.

Për dëmet e shkaktuara nga vërshimet nga Qeveria u theksua se janë duke shikuar formën dhe kriteret për kompensim të dëmeve nga Fondi Emergjent që do të themelojmë shpejt si dhe nga Rezervat Shtetërore.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë