22 vjet nga rënia heroike e pedagogut Gani Elshani

Sot bëhen 22 vjet nga rënia heroike e 40 luftëtarëve të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës.

Ushtarët e UÇK-së ranë heroikisht në kufirin shqiptar me 14 dhjetor 1998 derisa po vinin nga Shqipëria ku ishin për tu furnizuar me armatim.

Bashkë me shokët e tij të idealit ra edhe luftëtari, pedagogu dhe veprimtari i shquar i Kosovës, Gani Elshani i lindur në Krajkovë të Drenicës më 14 shkurt 1955.

Shkollën fillore e kreu në shkollën “Bashkimi”- Drenas, atë të mesme në gjimnazin “Gjergj Kastrioti –Skënderbeu”- Drenas, kurse shkollën e lartë në SHLP “Bajram Curri” në Gjakovë, në degën Histori-Gjeografi, ku arriti ta mbaroi me sukses në afatin e paraparë  në vitet 1977-1978.

Po në këtë vit u punësua në paralelen e ndarë të shkollës fillore “Jeta e re ̏ në Korroticë të Poshtme”, ku punoi 24 vjet me radhë.

Njëzet vite punoi si arsimtar, kurse katër vite ishte drejtor shkolle.

Ngjarjet politike që pasuan patën ndikim të veçantë në personalitetin e tij, prandaj i gjithë përqendrimi i tij mori drejtim tek çështjet kombëtare.

Ndikim të posaçëm tek Ganiu  kishin demonstratat e vitit 1981  në të cilat ishte pjesëmarrës aktiv bashkë me moshatarët e tij, duke u munduar për çështjen e atdheut që të ngritje në nivel sa më të lartë.

Gani Elshani kishte një veprimtari të gjerë, ai po ashtu ishte bashkëpunëtor i  Anton Çetës dhe disa bashkëpunëtorëve të tjerë qysh në fillim të viteve 90-ta, të cilët punonin në  Lëvizjen  Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve.

Ganiu filloi  veprimtarinë e tij në kontributin për çlirimin e atdheut që nga viti 1997.

Pasi filloi lufta, në fillim të vitit 1998 në bashkëpunim me shtabin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ganiu bashkë me shokët e tij formuan “Pikën 0” në Kosmaq që shërbeu  për lidhjen në mes te të gjitha pikave të UÇK-së në Kosovë. Më vonë formuan edhe njësitin “Guri 3” ku vepruan edhe në rritjen e numrit të ushtarëve.

Ndërkohë në mungesë të municionit, Ganiu bashkë me shokët e tij u nisën për në Shqipëri duke sjellë një sasi të armatimit dhe mobilizon edhe një pjesë të madhe të ushtarëve të tjerë.

Më vonë Ganiu merr rrugën prapë për Shqipëri për të siguruar edhe më shumë armatim dhe municion, por  duke u kthyer nga Shqipëria për në Kosovë, në një ditë shumë të ftohtë me borë siç ishte 14 dhjetori  i  vitit  1998, hasën në pritë të armikut, dhe duke luftuar së bashku me Komandantin Mujë Krasniqi (Kapuqi) dhe me bashkëluftëtarët  e tjerë ranë dëshmorë në kufirin shqiptaro-shqiptar, për të mos vdekur kurrë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë