Rrëfime lufte, kush ishte Gani Nika nga Gllanasella, sipas gazetarit të luftës

Gazetari i njohur i luftës, Haqif Mulliqi në kuadër të serisë së shkrimeve për luftën e UÇK-së, sot vëmendje i ka kushtuar ish pjesëtarit të UÇK-së, Gani Nikës nga Gllanasella e Drenasit.

Në shkrimin e Mulliqit “Rrëfime lufte” janë bashkangjitur edhe foto nga koha e luftës.

Shkrimi i plotë i gazetarit Haqif Mulliqi:

RRËFIME LUFTE

Me pjesëtarin e UCK-së, Gani Nika, më ka rastisur të takohem shpesh gjatë luftës. Jemi takuar gjithandej nëpër Drenicë, por, veçmas në Gllanasellë, në fshatin e tij. Lidhjen me Ganiun dhe familjen e tyre e kishim krijuar që në shkurt të vitit 1998, kur serbët, atij, në Çikatovë i vranë vëllanë, Avdullahun, dhe kur Shpresa me Emin Z. Eminin u kishin shkuar në familje që të shkruanin për rastin e krimit. Këto janë lidhje të veçanta kur njerëzit të respektojnë, të duan dhe të besojnë rrëfimin dhe emocionin e tyre, për diçka që u ka ndodhur si dhe për dhembjen e tyre. Fill pas kësaj, Ganiu qe bërë bashkë me njësitet guerile të UCK-së dhe ku, me zgjerimin e luftës në Drenicë, mori përgjegjësinë për detyra të reja duke u bërë epror në radhët e policisë ushtarake në Brigadën 114 të Zonës Operative të Drenicës. Sa herë jemi takuar me Ganiun, ai nuk ka reshtur që të flasë, gjatë e gjatë për organizimin e tij në një grupim “ilegal militarist” gjatë viteve të tetëdhjeta; për përgatitjet që të hidheshin në ajër stacionet e policisë serbe në Pejë e Prishtinë, që më 1992; për vrasjen mizore të vëllait të tij, Avdullahut, në fillim të vitit 1998, për udhëtimin në Shqipëri dhe rënien në pusi në kufi; për Abejën; për Bedri Shalën; për vrasjen e komandantit Fehmi Lladrovci dhe të Shefqet Zekës; për rezistencën e UÇK-së te Çikatova e Vjetër etj., etj. Sado që ai na i përsëriste këto rrëfime, si një orator i shkëlqyer që ishte, na bënte që, vazhdimisht ta dëgjonim, për aq më tepër kur në rrëfimet e tija të përsëritura as nuk e shmangte e as nuk e shtonte ndonjë fjalë të re.
Më kujtohet se, gjatë një bisede, më patë treguar për një rast tejet sensacional për ne e që kishte të bënte për disa kilogramë eksploziv të cilin policia e okupatorit e gjeti në posedim e tij.

“Kjo ka ndodhur në vitin 1992”, na rrëfen Ganiu. “Mirëpo, para se të rrëfej për këtë rast, përfitoj nga rasti të tregoj se puna ime dhe e disa bashkëpunëtorëve të mi ka nisur diku nga fillimi i vitit 1985. Atëbotë, unë, siç thashë, me shokë, kishim realizuar disa takime dhe, që atëherë, kemi ardhur në përfundim se Kosova duhet njëherë e përgjithmonë të çlirohet nga zgjedha e robërisë së serbit, madje, pa zgjedhur mënyrë as mjete. Do të thotë ne, që atëherë, në secilin takim tonin kishim biseduar për përgatitjen e mënyrave, madje, edhe të skajshme ushtarake, për ta goditur armikun tonë. Thjesht, e dinim që atëherë se çështja e Kosovës nuk ishte një çështje vetëm politike, por edhe ushtarake dhe e cila kërkonte një angazhim tjetërfare për të arritur tek çlirimi. Pra, ne, që atëherë, ishim për luftë kundër pushtuesit.
Dhe, pas disa viteve të organizimit, veçanërisht pas eksalimit të dhunës në hapësirat e ish-Jugosllavisë, atëherë kur nisi lufta, ne e kuptuam se tashmë ishin pjekur të gjitha kushtet që të sprovonim organizimin e aksioneve të armatosura kundër Serbisë, gjegjësisht, kundër prezencës së saj në Kosovë. Kështu që unë qesh caktuar nga shokët për të siguruar një sasi të caktuar mjeti shpërthyes të cilin duhej ta vendosnim në njërën nga postat e policisë në Prishtinë, si dhe në stacionin policor në Pejë. Kjo, sikundër e thashë, ndodhi në vitin 1992, do të thotë në atë kohë kur, praktikisht, nga një grupim tjetër kishte zënë fill Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për ç’organizim, më duhet ta them drejt, atëbotë nuk kisha asnjë njohuri të veçantë.”

Ganiu tregon se, meqë e kishte një të njohur në Minierën e Kishnicës, afër të Prishtinës, shkon me detyrë që tek ai, me shpresë se, ai do t’ia gjente, mjetin shpërthyes me të cilin, ky me shokë do t’i kryenin dy aksionet e planifikuara. Dhe, ashtu sikur kishte besuar, ky, nga miku i tij, atje, i siguron rreth 35 kilogram eksploziv, të cilat, në ditën e caktuar, shkon për t’i marrë. I merr dhe, në të kthyer, posa arrin në Prishtinë, konkretisht afër stadiumit të qytetit, e parkon automjetin, në bagazhin e të cilit e kishte vendosur eksplozivin dhe shkon në një kafene të kryeqytetit që t’i kontaktojë shokët dhe tok me ta të shkonte në bazën e tyre që gjendej, po në Prishtinë.

“Automjetin me të cilin po e bartja masën shpërthyese e parkova me qëllim afër qendrës kryesore policore në Prishtinë, në mënyrë që ta shmangja nga vetja dhe vetura çdo lloj dyshimi. Mirëpo, as sot e kësaj dite nuk e kam të njohur se si ndodhi që automjeti të kontrollohej aq detajisht nga policia dhe të gjendej mjeti shpërthyes. Dhe, me këtë rast, aty për aty, policët më arrestuan.
Kur më dërguan në polici, natyrisht, menjëherë nisën torturimet e egra, ngase, njerëzit e UDB-së, e pandehnin se për ç’arsye e kisha marrë në bagazh tërë atë eksploziv. Mirëpo, as gjatë fazës së hetimeve, e as tek gjyqtari hetues, por as në shqyrtimin kryesor të çështjes sime penale, unë nuk e kam pranuar se 35 kilogramët e eksplozivit ishin të mijat dhe gjithherë mbrohesha me atë se dikush ma kishte montuar masën shpërthyese që të më fuste në burg. E thashë se nuk kam pranuar asgjë, edhe pse tre muaj të plotë u jam nënshtruar torturimeve më çnjerëzore…”

Pas kësaj janë arrestuar edhe dy nga bashkëpunëtorët e Ganiut, kështu që, kur u sajua treshja, ata dënohen me afro pesëmbëdhjetë vjet burg. Ganiu takohet me 4 vjet e gjysmë nga vitet totale të dënimit.

*****

Gjatë bisedës me Ganiun, disa herë e përmendim faktin se, mbase, që në vitin 1992 kishte zënë fill edhe një organizimi i ri atëherë i cili tashmë ishte strukturuar si një forcë e vërtetë ushtarake, pra UÇK-ja. Mirëpo, vetë Ganiu, atëbotë, nuk e kishte ndonjë njohuri për atë organizim.

“Për të qenë i sinqertë, duhet thënë se shumica e popullit në Drenicë e dinte se diçka po ndodhë; se diçka po zihet. Veçanërisht pas sulmit të parë mbi familjen e Shaban Jasharit me djem, kjo gjë u bë e qartë. Sidoqoftë, mua, edhe sot e kësaj dite, më vjen keq që nuk ia dolëm t’i realizojmë aksionet dhe t’i hidhnim në ajër objektet e policisë së pushtuesit, ndërsa çdo gjë ishte të thuash e planifikuar deri në detaje.”

Mirëpo, angazhimi militarë i Ganiut. Ai ishte i përbetuar pas idesë se duhet luftuar për lirinë e vendit. Por, në radhët e UCK-së, ai inkuadrohet menjëherë pas masakrimit të vëllait të tij, Avdullahut. Në njëfarë forme, Ganiu mendonte se ia kishte borxh jetën e tij vëllait të vetë, për aq më tepër kur ai dhe Avdullahu, dhe anëtarët tjerë të familjes Nika, ishin të bindur se duheshin vazhduar një traditë familjare të luftës kundër okupatorit serb, ngase edhe gjyshi i tyre, Murati Nika, kishte luftuar për lirinë e Kosovës, bashkë me Shaban Polluzhën, bashkëluftëtar dhe mik i të cilit ishte.

“Për të qenë i sinqertë, shumë njerëz nuk dinin gjë për aktivitetet e vëllait tim, Avdullahut. Ai ishte aq konspirativ, sa që, përveç meje, njeriut të gjallë mbi këtë tokë nuk i ka zbuluar lidhjet e tij me UÇK-në. Madje një herë më patë thënë: ‘Ruaju Gani, ngase ti je në shënjestër, ndërsa për mua nuk do të dyshojë askush’. Mirëpo, serbët ia vunë rrethin dhe e masakruan në vendin e tij të punës.
Siç e keni edhe ju të njohur rastin, aksioni policor ka filluar diku nga ora 4 e gjysmë e mëngjesit dhe ka zgjatur deri në orën dhjetë të të asaj dite të fundshkurtit të vitit 1998, dhe, gjatë tërë kësaj kohe vëllai im është maltretuar nga disa policë. Ndërsa, pasi ka vdekur nga torturat e rënda, meqë nuk pranoi asgjë nga ato që kërkonin vrasësit prej tij, ata e qëlluan edhe me pesë plumba në trup në mënyrë që t’i fshehin gjurmët e torturës dhe ta justifikonin vrasjen e tij. Por krimi nuk mund të fshihet, ashtu sikur nuk të shuhet as dëshira ime për t’iu hakmarrë gjakësve. Një e di se polici kryesor i cili e urdhëroi këtë aksion ishte njëfarë Rajko”, tregon Gani Nika.

*****

Pas vrasjes së Avdullahut Ganiu i bashkëngjitet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe që me grupin e parë udhëton, për armatim, në Shqipëri. Atje grupi do të qëndrojë njëzet e katër ditë ku, gjatë tërë kohës, ky shoqërohet me dy luftëtarët e mëdhenj të ushtrisë: Bekim Berishën-Abejën dhe Bedri Shalën, vëllanë e Shaban Shalës, njërit prej liderëve të UCK-së.

“Kurrë në jetën time më trima se këta dy nuk kam takuar. Ranë heroikisht në mbrojtje të Junikut”, rrëfen Ganiu.

Pas më shumë se tri javëve grupi niset për në Kosovë. Numri i ushtarëve ishte jashtëzakonisht i madh: rreth 1.200 ushtarë. Mirëpo, gjatë rrugës, ky grup, bie në pritë të rëndë. Ishte e qartë se prita ishte e organizuar. Sapo këta pjesëtar të UCK-së, hyjnë në territorin e Kosovës serbët fillojnë të granatojnë mbi ta dhe kur nisin të tërhiqen, për të zënë pozicion më të mirë se ashtu ishim së tepërmi të ekspozuar, në rrëmujën e shkaktuar e cila u krijua, disa prej ushtarëve tanë, bien në fushë të minuar dhe lëndohen rëndë. Pas kësaj, u zbulua se spiuni nuk ishte një burrë nga Shqipëria i cili ishte me kolonën me idenë se ai e njihte mirë terrenin në kufi.

“Pikërisht ai që i printe kolonës nuk ishte kosovar”, rrëfen Gani Nika. Ne këtë udhëtim për në Kosovë po e bënim natën dhe na duhej një shoqërues që e njihte rrugën. Mirëpo, sapo jemi futur në territorin e Kosovës, duke iu afruar Junikut, ‘prijësi’ është ndarë për një çast nga ne, kinse për ta vëzhguar terrenin, dhe pas pak kohe i kemi dëgjuar dy të shtëna nga revolja. Po në atë çast, forcat e mëdha serbë e kanë lokalizuar vendin se ku gjendeshim ne, dhe të thuash pas një apo dy minutash kanë filluar të na granatojnë. Ne, nisëm të tërhiqemi që të zinim pozicione, ngase ishte e qartë se ramë në pritë. Situata ishte e paparashikueshme ndaj dhe ishte e pamundur që të vendosej komanda unike. Në atë rast vdekjen e gjetën shtatë ushtarë, ndërsa u plagosën 30-të të tjerë. Unë, me një ushtar nga Kaçaniku kemi ngarendur që t’i dalim para kolonës së ushtarëve dhe të inspektonim fushën e minuar, ngase tashmë unë kisha bërë përvojë në këtë drejtim, sepse mësues brilant e kisha trimin legjendar, Abejën. Në fushë të minave, kur arritëm unë dhe kaçanikasi, e pamë se dy ushtarë tanë kishin mbetur të vdekur, ndërsa dy të plagosur. Por, e keqja ishte se serbët, sa mundeshin, granatonin në drejtim tonin. Unë dhe ai ushtari nga Kaçaniku kemi vrapuar dhe e kemi marrë nga një të plagosur, mirëpo granata e shkijeve që ra jo larg nesh, të plagosurin që po e tërhiqja unë e vrau, ndërsa mua cifla e saj me plagosi në këmbën e majtë. Ushtari i vrarë, që më vdiq në duar, ishte junikas. Djalë i ri. Punëtor në Zvicër, që kishte ardhur për të luftuar për Kosovën. Emrin nuk ia kam mësuar kurrë. Atëherë u kam thënë ushtarëve të tjerë që të paloheshin pas shkëmbinjve. Ndërsa unë, edhe pse isha i plagosur, bashkë me Feritin nga Kaçaniku i kemi bartur 30 ushtarë të plagosur në shpinë. I kemi strehuar, që të gjithë, një kilometër e gjysmë larg në një pyll të dendur. Dhe, pasi i kemi evakuuar të gjithë të plagosurit, e kam dërguar Feritin që të lajmërojë Gixhën, udhëheqësin e grupit dhe t’ua bëjë me dije se ku ishin të plagosurit. Atëherë shokët kanë ardhur dhe i kanë marrë me traktor dhe të gjithë të plagosurit i kanë vendosur në Junik”, tregon, me emocion, luftëtari, Gani Nika.

Nga i gjithë grupi prej 1.200 vetash, 260 ia kanë dalë që të depërtojnë në Junik, ndërsa pjesa tjetër e ushtarëve u kthyen sërish pas. Ganiut dhe ushtarëve të tjerë që kishin nevojë, në Junik ua kanë ofruar ndihmën e parë dhe me shokët tjerë, ia dalin që të shkojnë deri në Gllogjan.

“Edhe në Gllogjan, po ashtu më kanë ofruar ndihmën mjekësore dhe prej atje më kanë sjellë në Likoc”, tregon Ganiu.

Paskëtej, mediumet e ndryshme botërore, të ndikuara nga propaganda serbe, e proklamojnë se, me këtë rast, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë kishin ngelur të vrarë mbi 100 ushtarë të UCK-së, gjë që nuk ishte e vërtetë.
Pjesa e ushtarëve që u detyruan të ktheheshin matanë kufirit u kanë ardhur në ndihmë Abeja dhe Bedri Shala dhe dy ushtarë të tjerë. Këta, kur e kuptuan se çfarë kishte ndodhur, atëherë, bashkë edhe me disa ushtarë të tyre, por si era janë futur brenda dhe i kanë sulmuar pikat e vrojtimit si dhe pozicionet e serbëve si dhe karakollin e Koshares. Sulmi është bërë me mortaja të fuqishme dhe me armët tjera. Serbët u trembën dhe tërhiqen si të pa kokë, derisa objektet e karakollëve po ngriteshin në ajër. Kështu që ushtarët e plagosur të UCK-së u tërhoqën pas pa asnjë problem.

*****

Ganiu, në Likoc vetëm raporton për atë që kishte ngjarë në kufi, kështu që menjëherë, nga shtabi, sistemohet në regjionin që komandonte, komandanti Fehmi Lladrovci.

“Ishte vetë komandanti, Fehmi Lladrovci edhe më pat nisur për të shkuar për armatim në Shqipëri, kështu që unë u ktheva në pikën time ku isha i sistemuar më herët”, rrëfen Ganiu.

Ganiu më thotë se Fehmi Lladrovci ishte një prej figurave më të shkëlqyera të luftës sonë çlirimtare.

“Është një prej njerëzve më komplet që kam takuar ndonjëherë në jetë”, thotë Ganiu. “Vdekja e tij është një humbje e madhe, por rënia e tij heroike mbetet model për ne se si duhet të luftohet për Atdhe. Nuk dua ta fsheh se, kur ma kanë vrarë e masakruar serbët vëllanë tim, Avdullahun, e që ishte rasti i parë i masakrimeve në Kosovë, kush një pikë loti nuk më ka parë, por kur ka vdekur komandant Fehmiu, burrë, unë kam qar si fëmija”, kujton Ganiu. “Loti lotin nuk ma ka pritur. Bile, gjatë ofensivës në të cilën u vra komandanti, shkijet ma patën arrestuar djalin, por, kur dëgjova për vrasjen e komandantit Fehmni Lladrovci, s’më ka rënë mend as për djali e as për familjen që nuk e dija se ku ndodhej. Fytyrat si Fehmi Lladrovci janë markante dhe rrallë përsëriten në historinë e një kombi”, thotë Gani Nika i cili, kur e kujton komandantin e tij, ende nuk e fsheh as dhembjen e as emocionin.

“Unë”, tregon Ganiu, ditë kur ka ra dëshmorë Fehmi Lladrovci, kam luftuar te trafostacioni në Çikatovë të Vjetër, prej që kur forcat e serbë kishin dalë nga ‘Feronikeli’. Në atë pikë me mua ishte edhe luftëtari i ri Shefqet Zeka nga Prishtina i cili luftoi si luan, por që vdiq nga plagët e marra nga predhat e armikut. Me duart e mia ia kam mbyllë sytë atij trimi. Më është dhimbsur si të ishte djali im. Me rrobat e djalit tim e kemi varrosur. Hallall i qoftë! Ndërsa uniformën e tij e kam marrë, e kam pastruar, e kam hekurosur dhe sot e kësaj dite e mbaj si shenjë për të dhe heroizmin e tij. Shefqeti është vrarë diku nga ora një e drekës.
Dikur forcat e serbe kanë arritur të depërtojnë bukur afër pikës sonë, sepse ata ia kanë dalë që të thyejnë pikën në Gllobarë dhe, prej andej, të futen për në territorin të cilin e mbronim ne. Pesë minuta para se ta lëshonim pikën te ne ka ardhur Enver Topilla, vullnetarisht, që të na ndihmojë. Po në këto çaste i kam vënë re ushtarët vrastarë të Serbisë, rreth pesëdhjetë sish, duke zbritur nga një kamion. Në atë çast unë me mitraloz të rëndë kam shtënë në rafale drejt tyre dhe shkijet janë hedhur përpjetë si të ishin kunguj. Ndërsa mua tek atëherë më është bërë se po e merrja hakun e komandant Fehmiut, Shefqetit, por edhe të vëllait tim Avdullahut. Më bëhej se më dolën krahët dhe po fluturoja qiellit të Kosovës. Shkijet i kam pasur afër ndonjë 50 metra dhe për dy orë të plota nuk i kam lënë që të afrohen dhe të depërtojnë nga pozicioni në të cilin kemi luftuar me shokë. E di se rafalet e mitralozit tim lanë plotë cofëtina në vend. Edhe ata na kanë granatuar pareshtur. Granatat kanë rënë gjithkah, por me jetë shaka nuk është. Nuk vdes njeriu pa i ardhur çasti i gjykimit”, rrëfen Gani Nika.

*****

Sipas Gani Nikës, në fakt, serbët nuk përfaqësojnë ndonjë ushtri të mirëfilltë e cila di të respektojë rregullat e luftës.

“Ata vazhdimisht sulmojnë, provokojnë dhe vrasin civilë, duke mos i kursyer as gratë e fëmijët, ndërsa faktori ndërkombëtar sikur ka kaluar heshturazi mbi krimet duke i quajtur ato incidente” na thotë Ganiu. Sidoqoftë, është e njohur për miqtë dhe për armiqtë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një forcë e fuqishme, e respektuar, në zhvillim e sipër e cila, në momente të caktuara, madje e proklamoi një lloj vetëpërmbajtjeje, sa për t’i dhënë shans diplomacisë, mirëpo, sigurisht eprorët tanë më të lartë nuk do të lejojnë që serbët të bëjnë në pafundësi lojëra të ndyra sepse, të gjithë, edhe miqtë e edhe armiqtë e racës sonë, e dinë se lufta jonë është e drejtë dhe se ne do ta fitojmë”, thotë, luftëtari, Gani Nika.

Sipas tij, UÇK-ja është e vendosur që luftën ta shpie deri në fund.

“Në fakt”, thotë Ganiu, “tashmë, edhe populli ynë e edhe opinioni ndërkombëtar e ka të qartë se kjo luftë, që nisi me pushkë, me pushkë edhe do të mbarojë, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës është forca e cila do t’i japë grushtin e fundit hegjemonisë primitive serbe në Evropë. Në fakt, UÇK-ja po e mbron Evropën nga metastazat e kancerit serb. Një është e sigurt, se, ne do të luftojmë dhe do ta fitojmë Lirinë e popullit tonë. Vend për kompromise nuk ka. Ata që duan të bëjnë kompromise në dëm të çështjes sonë kombëtare, ata do të hidhen në mbeturinat e historisë”, përfundoi ushtari i Lirisë, Gani Nika.

#perjetesishtuck

P.s. Pak ditë më parë e mora lajmin se, luftëtari i Lirisë, Gani Nika kishte ikur nga kjo botë. I kishte kaluar aq sfida e aq plagë lufte, por nuk i kishte dalë që t’i tejkalonte lëndimet e një aksidenti në komunikacion.

Qoftë i paqes, ky luftëtar i patrembur dhe miku ynë i mirë, Gani Nika. Do ta kujtoj përjetë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë