KQZ s’ka mandat, deputetët e rinj nuk mund të nisin punën

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dje kanë finalizuar marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Qeveria Kurti pritet t’i ketë 15 ministri, duke bërë kështu një ndarje të barabartë, 6 me 6, ndërsa tri nga to do t’i takojnë minoriteteve.

Kështu, ministrat e rinj të VV-së dhe LDK-së, të cilët kanë fituar mandat të deputetit, do të lirojnë vendet në Kuvend, çka se do të zëvendësohen me emra të rinj, sipas numrit të votave që morën në zgjedhjet e 6 tetorit.

Por, IndeksOnline mëson se rreth dhjetë deputetët e rinj, nuk mund të zëvendësohen aktualisht, kjo pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është jo funksional, kjo për faktin se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, nuk i di emrat e anëtarëve të rinj të KQZ-së.

Kujtojmë që, KQZ ka mbetur pa anëtarë të saj, pasi atyre u ka skaduar mandati që nga 27 janari.

IndeksOnline ka raportuar gjithashtu se në përbërjen e re të KQZ-së nuk do të jenë tre “veteranët” nga Vetëvendosje, PDK-ja dhe një i minoriteteve. Bëhet fjalë për Adnan Rrustemin (VV), Ilir Gashin (PDK) dhe Erkan Spat i KDTP-së.

Ata nuk kanë të drejtë ligjore të emërohen sërish nga Presidenca, sepse kanë kaluar 3 mandate në KQZ. Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme atyre nuk u lejohet të jenë përsëri anëtar në KQZ.

IndeksOnline gjithashtu u ka dërguar e-mail subjekteve politikeve, në lidhje me emrat e rinj që kanë dërguar në KQZ për anëtar, mirëpo asnjë nga ta nuk ka kthyer përgjigje.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë