Qeveria Kurti: Gjashtë ministra nga VV’ja, gjashtë nga LDK’ja, tre nga pakicat

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës sipas të gjitha gjasave do ta bëjnë bashkë qeverinë e re të vendit.

Partia që doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, dhe ajo e cila e zuri vendin e dytë, pritet që nesër, e diel, të nënshkruajnë marrëveshje për formimin e një koalicioni qeverisës.

Më herët, sot, Gazeta Express ka raportuar se është hapur rruga për marrëveshje mes VV’së dhe LDK’së, gjatë takimit të fundit mes përfaqësuesve nga të dy partitë më të mëdha në vend.

Express po ashtu ka raportuar se Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pritet të japë dorëheqje nga posti i tij, për t’i hapur rrugë formimit të koalicionit VV-LDK.

Raportimin e ka konfirmuar anëtari i VV’së, Agim Bahtiri, i cili ka thënë se Konjufca do ta lëshojë postin që e mori vetëm një muaj më parë.

Ndërkohë, nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, i cili thuhet se po luan rol vendimtar në arritjen e marrëveshjes VV-LDK, ka paralajmëruar se koalicioni do të nënshkruhet të dielën, më 2 shkurt.

Gazeta Express, ndërkaq, ka mësuar nga burimet e saj detaje të marrëveshjes së koalicionit VV-LDK.

Në qeverinë e re të vendit, të cilën do ta udhëheqë kreu i VV’së, Albin Kurti, do të jenë gjashtë ministra nga radhët e partisë së tij.

LDK’ja do t’i ketë po ashtu gjashtë ministra në Qeverinë Kurti, ndërsa tri ministri do të udhëhiqen nga përfaqësues të pakicave në vend.

Mësohet se dy partitë kanë vendosur që për postin e presidentit të vendit – mosmarrëveshjet rreth të cilit e kanë bllokuar prej muajsh marrëveshjen mes tyre – të diskutojnë në të ardhmen.

Partia e Albin Kurtit dhe subjekti që udhëhiqet nga Isa Mustafa sipas të gjitha gjasave do ta bëjnë qeverinë të hënën.

Më 3 shkurt, e hënë, është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë së re të vendit.

Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën për seancë, të bërë nga Kurti, i cili është mandatar për formimin e kabinetit të ri qeverisës.

Kurti mori më 20 janar mandatin nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa kërkoi që Kuvendi të mblidhet një ditë para skadimit të afatit kushtetues prej 15 ditësh për formimin e qeverisë.

Kërkesa e tij u bë teksa ende nuk është arritur marrëveshja e pritur me LDK’në për formimin e qeverisë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë