Kryetari Lladrovci nënshkruan marrëveshje mirëkuptimi për izolimin termik të shtëpive për familjet në nevojë

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me Marko Kosir, udhëheqës i projektit “Subvencionet për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë –SEEK” që është në kuadër të Programit të Pragut për Kosovën të MCC-së i zbatuar nga Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës.

Më rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje të mirëkuptimit, kryetari Lladrovci ka falënderuar të pranishmit për përkrahjen e këtij projekti dhe ka vlerësuar se është shumë i qëlluar të realizohet në Komunën e Drenasit, kur dihet që dëmet nga lufta e fundit kanë qenë të mëdha dhe ende shumë ekonomi familjare kanë problem kryesor banimin. “Të gjithë qytetarët që nuk kanë mundësi të bëjnë izolimin termik të shtëpive të veta me masa efiçiente, përmes këtij projekti do të kenë mundësi që të përfitojnë zbatimin e masave efiçiente në favor të energjisë, masa njëkohësisht të kërkuara me standardet e BE-së, të reduktojnë pastaj edhe shpenzimet për energji elektrike, por edhe një mundësi e mirë për ato familje që janë në nevojë që shtëpitë e banimit të tyre t’i izolojnë termikisht më mirë, që fëmijët e tyre të mos rrezikohen nga sëmundjet që vijnë nga të ftohtit”, ka thënë kryetari Lladrovci.

Udhëheqësi i projektit, Marko Kosir, ka falënderuar kryetarin Lladrovci për gatishmërinë që ka treguar për të përkrahur këtë projekt i cili ka të bëjë direkt me mirëqenien e ekonomive familjare që kanë nevojë për ambientet e tyre të jetës.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje të mirëkuptimit, që do të zbatohet nga Komuna e Drenasit dhe Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës, ka për qëllim të zvogëlojë konsumin e energjisë elektrike në sektorin e banimit duke ndarë subvencione dhe stimuj të tjerë ekonomik për njësitë e banimit që të investojnë në masa të Efiçiencës së Energjisë dhe në Burime të Ripërtëristhme të Energjisë, nëpërmjet pakos ndërhyrëse renovimet për efiçiencë në njësitë e banimit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë