Kryetari Lladrovci uron qytetarët për festat e fundvitit

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me rastin e festave të fundvitit, uron të gjithë qytetarët e Komunës së Drenasit, duke ju dëshiruar shëndet, paqe e harmoni në familje.

Në urimin drejtuar qytetarëve të Komunës së Drenasit, Kryetari Lladrovci ka uruar që viti 2020 të sjell edhe më shumë suksese, shëndet dhe mbarësi në secilën familje, duke shtuar se do të përkushtohet edhe me shumë në përmirësimin e jetës së qytetarëve përmes projekteve që kanë impakt në jetën e tyre.

“Viti që kaluam, ishte vit i sukseseve dhe arritjeve të synimeve të përbashkëta me qytetarët e Komunës tonë, përkundër sfidave. Viti 2020, do të jetë vit i përkushtimit dhe realizimit të projekteve dhe investimeve në ngritjen e cilësisë së jetës, shërbimeve më të mira për qytetarët, të qasshme dhe të integruara për komunitetin e Drenasit. Me fokus të veçantë është zhvillimi ekonomik, duke fuqizuar politikat zhvillimore në biznesin privat për të krijuar vende të reja të punës, përmirësimin e infrastrukturës rrugore, rrjetin e kanalizimit, përmirësimin e furnizimit me ujë për pije dhe ujitje të tokave, përmirësimin e ambientit, vazhdimin e rregullimit të shtratit të lumit “Drenica”, vazhdimin e rregullimit të terreneve sportive, përmirësimin e kushteve në objekte shkollore dhe ngritjen e cilësisë në mësimdhënie e mësimnxënie, përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe projekte të tjera”, është shprehur Kryetari Lladrovci.

Kryetari Lladrovci ka uruar qytetarët e Komunës së Drenasit për vitin e ri 2020, duke potencuar se do të jetë “vit i cili do t’i përmbush pritjet e përbashkëta për prosperitet, ndërsa ndërrimin e vitit ta kaloni sa më mirë pa incidente”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë