DRENAS/ Pranon fajësinë, dënohet me gjobë i akuzuari për lidhje ilegale në rrjetin elektrik

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, të enjten, i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 150 euro, të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve, Azem Qavdari.

Gjithashtu, i akuzuari Qavdari, është ngarkuar me paushallin gjyqësor në shumë prej 30 euro si dhe me taksën për Programin e Kompensimit të Viktimave të Krimit në shumë 30 euro.

Aktgjykimi është shpallur në shqyrtimin fillestar, nga gjykatësi i rastit, Shefqet Baleci, pasi i akuzuari paraprakisht ka pranuar fajësinë, për veprën që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Dren Paca, i cili ka propozuar që ky akt të merret si rrethanë lehtësuese, me rastin e marrjes se vendimit mbi dënimin.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Azem Qavdari, me kërkesë për shqiptimin e urdhrit ndëshkimor,  të cilin e ka ngarkuar me veprën penale “vjedhja e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi 6, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 4 mars 2019, në shtëpinë e të pandehurit në fshatin Çikatovë, në Drenas, punëtoret e  KEDS-it, gjatë kontrollit të njehsorit elektrik kanë konstatuar se i njëjti me qëllim që vetit t’i sjell përfitime pasurore të kundërligjshme.

Në aktin akuzues thuhet se ai ka vepruar në atë mënyrë që është kyçur në njehsorin elektrik me një kabllo, me ç `rast KEDS-it i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë