Shaban, Hamëz e Adem Jashari përjetësohen në bronz në sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas

Më rastin e shënimit të festës së 28 Nëntorit, në sheshin “Fehmi Lladrovci” janë përjetësuar në bronz, tri figurat më emblematike të historisë së lavdishme të Kosovës, Sahaban, Hamëz e Adem Jashari.

Më këtë rast, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, para të pranishmëve u drejtua me këtë fjalim:

Shkelqësia Juaj, President i Republikës së Kosovës, zotëri Hashim Thaçi,
I nderuari Kryetar Bekim Jashari dh përfaqësues të Familjes Jashari,

I nderuari vëlla Ali Ahmeti,

Familjarë të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë,
Deputet e ish deputetë ish ministra, kolegë kryetarë të komunave nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe Republika e Kosovës,

Përfaqësues të Shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së, invalidë e veteranë të UÇK-së

Zonja e zotërinj,

Sot, Drenasi, Drenica dhe kombi ynë, është pasuruar me tri shtatore, të Komandantit legjendar Adem Jasharit dhe heronjve Shaban e Hamëz Jashari.

Për herë të parë, në një vend, pas kalimit në faqen më të ndritshme të historisë së kombit shqiptar, sot, ata janë sërish bashkë, janë këtu, me ne, krah për krah, të shkrir në bronz, Baca Shaban me Hamzën e Ademin.

Ata janë këtu me qëllim.

Ata janë këtu, për të na ligjëruar dashurinë ndaj atdheut,
Ata janë këtu, për t’i thënë qytetarëve tanë dhe çdo vizitori këtu në shesh, sa e vlershme është liria,

Ata janë këtu, për të na udhëzuar për vepra të çmuara për qytetarët dhe kombin,

Ata janë këtu, për të na treguar se liria nuk ka çmim,

Ne jemi këtu, të themi se e kemi mësuar mësimin e historisë.
Ne jemi këtu që të themi, lë ta dëgjojnë të gjithë, nuk do të lejojmë të na përsëritet ky mësim.

Këtë histori do ta përcjellim brez pas brezi, të mos përsëritet.
Këtu, nga sot, Heronjtë, Shaban, Hamëz e Ademi Jashari, i janë bashkuar edhe në shesh, bashkëveprimtarëve e bashkëluftëtarëve të vet, Heroinës Xhevë, heronjve Fehmi Lladrovcit, Ilaz Kodrës, Rasim Kiçinës e Bedri Shalës.

Ky Shesh, është i papërsëritshëm për cilindo qytet ku jetojnë shqiptarët, sepse, me Skënderajn, ne e përbëjmë, zemrën nga buroi liria, nga vendi i Ahmet Delisë, Hasan Prishtinës, Azem e Shotë Galicës, Shaban Polluzhës e Mehmet Gradicës, deri te Epopeja e Jasharajve, Epopeja e ushtrisë tonë të lavdishme, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky shesh si asnjë tjetër, do t’i qëndroj besnik mësimeve të historisë që përjetuam për një shekull, për fëmijët tanë, për fëmijët e fëmijëve tanë, e deri sa të ekzistojë kombi ynë, se liria për Kosovën lindi këndej, rritet dhe begatohet me Republikën, rritën e saj, ashtu siç e deshtën, ata që dhanë jetën.

Motra e vëllezër,

Këto tri shtatore, tejkalojnë çdo përmasë të shtatoreve, sepse, po bëhen pjesë e komunës tonë, ashtu siç kanë qenë gjithmonë në mendjet e zemrat tona, me jetën e veprën e tyre, me ndjenjën e përgjegjësisë dhe respektit që kishin për neve që të vazhdojmë deri në çlirim, shtetformim e shtetndërtim.

Nga këtu, Ademi, Hamza e Baci Shaban, do të flasin me Drenicës, me çdo qytetarë që vije në këtë shesh madhështor si mysafir yni, në sheshin “Fehmi Lladrovci”, do të jenë dëshmi e historisë së papërsëritshme në histori, të pranisë së tyre, në zemrën e qytetarëve të Drenasit, në veçanti për neve, që u kalitëm si veprimtarë e bashkëluftëtar kundër okupimit.

Ne nuk do të ndalemi në punën tonë, zotimin tonë për të zbatuar ligjin, me parimin se askush nuk është mbi ligjin, me transparencë e llogaridhënie, jo vetëm para ligjit, por edhe këtyre tetë heronjve, të këtij sheshi madhështor.

Zonja e zotërinj,

Në këtë solemnitet, dua të theksoj edhe dy çështje:

Shtatoret për Komandantin legjendar, si kujtim i çmuar për gjenerata, do të vazhdojnë gjithandej trojeve tona. Por, këtu dua ta falënderoj kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin dhe Asamblenë komunale të Prishtinës që miratuan vendin për ngritjen e shtatores së Adem Jasharit, në datën solemne vitin tjetër.

Pardje, Shqipëria dhe kombi shqiptar, përjetoi një tërmet ku humbën jetën mbi 30 qytetarë. Ne i jemi bashkuar kësaj dhimbjeje me mesazhin: “Shqipëri, nuk je vetëm”.

Ky 28 nëntor, është motiv shtesë, për të fuqizuar solidaritetin, mirëkuptimin dhe harmoninë tonë në të gjitha nivelet, duke e ndjerë edhe si obligim ndaj sakrificave shekullore për liri, paqe e prosperitet.

Qytetarë të Drenasit, zonja e zotërinj, të nderuar familjar të Familjes emblematike Jashari, gëzuar shtatoret.

Uroj që shënimi i 28 Nëntorit, viteve tjera, të ketë më shumë lumturi, për të gjithë Juve, për Drenasin, Drenicën, Kosovën dhe kombin shqiptar! Faleminderit!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë