Arrin në 18 numri i viktimave në Shqipëri, vazhdojnë kërkimet për të zhdukurit

Deri më tani konfirmohet se kanë humbur jetën 18 persona dhe mbi 600 të tjerë të plagosur nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë, veçanërisht Durrësin dhe Thumanen.

Ndërkaq lëkundjet e tërmetit nuk kanë të ndalur, rreth orës 14: 05 minuta ishte një goditje tjetër e fuqishme e tërmetit në Shqipëri duke krijuar panik të madhe dhe njerëzit po qëndrojnë jashtë banesave të tyre.

Goditja ishte rreth 5.1 ballë me një thellësi 2 km në perëndim të Maurasit. Në Shqipëri që nga mesnata janë regjistruar mbi 20 tërmete, ndërsa më i fuqishmi ka qenë ai rreth orës 4:00 të mëngjesit, me 6.3 ballë.

Në Thumane po vazhdojnë kërkimet e disa banorëve të cilët kanë mbetur në gërmadha nga ndërtesat e shembura. Shumë banorë të cilët kanë shpëtuar janë të shqetësuar dhe brengosur për fatin familjarëve të tyre të cilët ende nuk janë gjetur.

Qytetarja Nafije Murati ishte e shqetësuar nga tërmeti i fuqishëm i ndodhur sot në orët e mëngjesit. Ajo thotë se janë në kërkim të mbesës 21-vjeçe që ka mbetur nën gërmadha.

“Unë nuk banoj këtu, ka banuar vëllai im me nusen të cilët kanë shpëtuar, por gocën e tyre ende nuk e kanë gjetur… Tërmeti ka ndodhur nga ora 4:00 e mëngjesit. Ka qenë tërmet shumë i fuqishëm. Vajza e vëllait është 21-vjeçe”, theksoi Murati.

Edhe Lule Leka shprehet e brengosur për fatin e vajzës së motrës.

“Jam e shqetësuar për gocën e motrës, kurse motra me gjithë burrë kanë dalë nga gërmadhat. Vajza e motrës është 20-vjeçe. Ishalla Zoti e ka në dorë, janë duke u munduar mjaft… (Ku do ta kaloni natën sonte?) Jashtë, pa u gjetur goca ne nuk mund të ikim. S’kemi çka të bëjmë”, deklaroi Leka.

Shaptore Muçi 73-vjeçe, po pret të dalin të gjallë dy familjarë të saj nga ndërtesat e shembura nga tërmeti.

“Atje në rrënojë kam djalin e tezës me gjithë nuse. Kurse unë isha vetë në katin e shtatë vetë i gjashti dhe shpëtuam në Tiranë, isha te vajza. Kam ardhur drejt këtu, thosha po dalin, por s’po dalin, gjallë a vdekur. Unë me ikë pa dalë këta, s’po mund të iki”, tha Muci.

Lule Luli, e cila ishte vendosur me familje në një çadër të ngritur në një fushë sportive thotë se natën e sotme do ta kalojnë në çadër.

“Natën këtu do ta kalojnë, çka të bëjmë, ku të shkojmë. Jam me burrin dhe dy djemtë këtu. Kemi përkujdesje, na kanë sjellë batanije, ushqim, ujë. Gjatë daljes u rrëzuam, por shpëtuam, edhe unë këtu kam lënduar këmbën. Na u mbyllën dyert, nuk arritëm t’i hapim”, theksoi Luli.

Ndërkohë, flamuri kombëtar në Zyrën e Presidentit në Shqipëri është ulur në gjysmë shtizë në nderim të jetëve të humbura nga tërmeti në Shqipëri.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë