Nënshkruhen kontratat me studentët përfitues të bursave të ndara nga Komuna e Drenasit

Sot në Sallën e Kulturës në Drenas, studentët përfitues të bursës komunale për vitin akademik 2019/2020, kanë nënshkruar kontratat për marrjen e bursës të ndara nga Komuna e Drenasit.

Me rastin e nënshkrimit të kontratave, morën pjesë kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, nënkryetari Nazmi Hasi si dhe anëtarë të komisionit të cilët kanë bërë vlerësimin e aplikantëve për bursë. Numri i bursave për këtë vit akademik është 160.

Kryetari Lladrovci mbajti një fjalë rasti para studentëve ku ndër të tjera tha se është shumë i lumtur që 160 studentë të Komunës së Drenasit, po nënshkruajnë kontratat për bursa, për vitin e ri akademik. Ai shtoi se nuk do të reshtë që përmes donatorëve, brenda mundësive, të gjejnë mënyra për financimin edhe për 40 bursa për studentë sipas listës së publikuar, sipas radhës, pas numrit 160. Ne nuk jemi komunë e madhe, por kemi vullnet dhe përkushtim të madh për studentët tanë, të tashmen dhe të ardhmen tonë, shtoi kryetari Lladrovci.

Ndërsa në fjalën e tij, nënkryetari Hasi, tha se studentët janë të preokupuar me shqetësime e brenga të provimeve ndërsa komuna me këto bursa mundohet që t’ua lehtësojë preokupimet financiare duke pasur parasysh rrethanat aktuale ekonomike në përgjithësi. Ai shprehu dëshirën që këto bursa të kontribuojnë në rritjen e suksesit të tyre në studime.

Vlera e bursës komunale për një student është 500 euro dhe me këtë synohet ngritja e cilësisë në arsim. Komisioni në përbërje të anëtarëve profesional pas vlerësimit të aplikacioneve ka shpallur përfituesit dhe ka renditur ata në bazë të numrit të pikëve sipas kritereve të konkursit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë