LDK: S’ka zgjedhje, qeveria e re do t’i ketë 78 deputetë

Ish-deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli, i cili pritet që edhe për një mandat të jetë në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se koalicioni që do të përbëhet nga LDK-ja dhe LVV-ja do t’i ketë mbi 70 deputetë.

Kësisoj ai ka thënë se nuk ka gjasa reale që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. “Nëse PAN-i me 39 deputetë arriti t’i bënte 61 (minus 22), koalicioni i ndryshimit 57 deputetë (me vetëm minus 4) të shkojë në zgjedhje s’do të ndodhë assesi. Mjaftojnë edhe 4 nga 10 deputetë të pakicave joserbe, por munden edhe deputetët serbë e ndoshta edhe deputetë të veçantë të opozitës të votojnë, prandaj problemi i numrave nuk ekziston”, ka thënë ai për gazetën Zëri

Rrjedhimisht, sipas tij, zgjedhjet mund të ndodhin vetëm nëse një gjë të tillë e kërkon LDK-ja dhe LVV-ja. “Në zgjedhje shkojmë vetëm nëse LDK-ja dhe LVV-ja pajtohen të shkojnë ose nëse partia që ka drejtën e mandatimit të kryeministrit, d.m.th. LVV-ja nuk do të mandatojë kandidatin e saj dhe t’i sigurojë edhe ata 4 deputetë të pakicave, që me Kushtetutë është i obliguar t’i ketë në Qeveri. Këto pakica kanë jo 4, por 20 deputetë, që d.m.th. qeveria e re do t’i ketë gjithsej 78 deputetë (jo 61 si ajo e kaluara), të cilët do të duhej ta votonin qeverinë e re”. Ai në fund ka thënë se kjo s’ka të bëjë fare me Nismën a hyn ose jo në Parlament, prandaj zgjedhje do të ketë tek në vitin 2023.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë